Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Idrizi i vendosur t’i dëshmojë vlerat në Bundesliga 2

Jo shumë kohë më parë Blendi Idrizi siguroi kalimin në Bundesligën gjermane me Schalken. Nuk pati shumë hapësira në sezonin e kaluar, por dha kontribut për aq sa luajti.

Në 22 ndeshje në Bundesliga 2, futbollisti i Kosovës pati një gol të shënuar e katër asistime. Asistimi i fundit erdhi në xhiron e fundit dhe ishte me peshë për fatin e Schalkes. Schalke fitoi 2:1 në udhëtim te Nurnbergu, kurse Idrizi asistoi në golin e fitores në minutën e 88-të. Me atë fitore, Schalke siguroi kalimin në Bundesligë nga vendi i parë me 65 pikë, dy më shumë se Werder Bremeni.

U mendua se Idrizi kishte fituar besimin e drejtuesve të Schalkes, por klubi vendosi që ta dërgonte huazim gjatë afatit kalimtar të verës te skuadra e Jahn Regensburgut që bën gara në Bundesliga 2.

Regensburgu nuk e ka nisur mirë edicionin e ri, pavarësisht se ka ambicie për t’u ngjitur në elitën e futbollit gjerman. Aktualisht ka tetë pikë nga shtatë ndeshje dhe pozicionohet në vendin e 12-të.

Idrizi mburret për ambientin ku gjendet aktualisht. Thotë se Regensburgu e luan futbollin me intensitetin më të lartë në rangun e dytë të futbollit të Gjermanisë.

Edhe Idrizi po e shfrytëzon mirë rastin e dytë te Schalke Sport Idrizi po e shfrytëzon mirë rastin e dytë te Schalke

“Për mua Jahn Regensburgu e luan një futboll me intensitet shumë të lartë. Njerëzit këtu punojnë fort dhe skuadra është e bazuar në virtyte të larta dhe shumë të rëndësishme. Dua që të luaj sa më shumë ndeshje që është e mundur dhe të kënaqem në fushën e lojës me bashkëlojtarët”, ka thënë Idrizi të enjten për faqen zyrtare të klubit.

Idrizi u lind në Gjilan, por si futbollist është zhvilluar në Gjermani ku bashkë me familjen emigroi në moshën 12-vjeçare. Nga futbolli i rrugës iu bashkua skuadrës së Bonnit e më pas luajti edhe në Bundesligën e juniorëve në Euskirchenin. Talenti i tij u pa nga grupmosha U19 e Koelnit, ndërsa karrierë bëri edhe te Friesdorfi e Aacheni. Rrjedhimisht nga rangu i pestë i futbollit gjerman me punë arriti kulmin në Bundesligë me Schalken. Debutoi kundër Hertha Berlinit, ndërsa golin e kishte shënuar tri ditë më vonë kundër Frankfurtit.

Të hënën e kaluar Idrizi nënshkroi kontratë me Regensburgun në formë huazimi deri në fund të sezonit. Pesë ditë më vonë ishte titullar në një ambient të ri, e në një sistem krejtësisht tjetër nga Schalke. Në sistemin 3-4-3.

Paraqitja e tij u vlerësua pozitive. Idrizi kishte fituar gjysmën e dueleve, ndërsa gaboi vetëm njërin pasim nga 24 sa i kishte në total.

“Jam futbollist që adaptohem shpejt në situata të reja. Unë vetëm dua të jem në fushë. Edhe pse nuk kam qenë për një kohë të gjatë me skuadrën, kam provuar t’i zbatoj udhëzimet taktike nga trajneri në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka theksuar mesfushori.

Edhe Idrizi përfundon huazimin te Jahn Regensburgu Sport Idrizi përfundon huazimin te Jahn Regensburgu

Kur nuk është në fushë, Idrizi sërish është i lidhur me futbollin. Ai pëlqen që të gatuajë e të ushqehet me ushqimet që vetë i përgatit. Thotë se mbrëmjet më të bukura janë ato të Ligës së Kampionëve. Pëlqen t’i shikojë skuadrat si Barcelona, PSG apo Manchester City, ndonëse është tifoz i Manchester Unitedit.

Idrizi përfaqëson Kosovën me të cilën debutoi më 1 qershor të vitit të kaluar dhe deri tani ka zhvilluar pesë ndeshje.