Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Idrizi kthehet në Bundesligë me Schalken, është krenar që luan me Kosovën

Blendi Idrizi me Schalken kthehet në Bundesligë

Mesfushori i Kosovës, Blendi Idrizi, edicionin e ardhshëm do të luajë në Bundesligën e Gjermanisë. Idrizi është pjesë e skuadrës së famshme gjermane, Schalke, që të shtunën mbrëma siguroi kthimin në elitë, pas një edicioni në Bundesliga 2.

Schalke siguroi promovimin me fitoren 3:2 ndaj St. Paulit, në kuadër të xhiros së 33-të të kategorisë së dytë gjermane. Një xhiro para fundit Schalke udhëheq me 62 pikë, pesë më shumë se Werder Bremeni.

Idrizi ka luajtur prej minutës së 79-të në ndeshjen e së shtunës. Ka pasur festë të madhe nga tifozët e zjarrtë të klubit me nam në Gjermani.

Idrizi 24-vjeçar, ka luajtur 21 ndeshje për Schalken, ndërsa ka një gol e tri asistime. Ndonëse nuk ka mundur të stabilizohet në ekipin bazë, ai vlerësohet i rëndësishëm për Schalken.

Pikërisht një vit më parë Idrizi doli në pah. Luajti në tri ndeshjet e fundit të edicionit për Schalken, kur skuadra ishte pa gjasa. Ai u promovua nga ekipi i dytë dhe la përshtypje të mirë në ato ndeshje, duke realizuar madje edhe gol. Dhe ato tri paraqitje i mundësuan që me Schalken të firmosë kontratë të re dhe të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Edhe Idrizi po e shfrytëzon mirë rastin e dytë te Schalke Sport Idrizi po e shfrytëzon mirë rastin e dytë te Schalke
Image

Në një intervistë për sajtin zyrtar të Schalkes, Idrizi ka kujtuar atë periudhë e po ashtu debutimin e papritur në Bundesligë.

“Nuk do të isha këtu nëse nuk do ta fitoja rastin në ato ndeshje. Është fakt se isha në gjendje të prezantojë veten në ato tri ndeshje që për klubin nuk ishin shumë të rëndësishme. Përmes tyre unë isha në gjendje të dëshmojë aftësitë që kam dhe të rekomandojë veten për kontratë që tashmë e kam rinovuar”, ka thënë Idrizi.

Debutimi në Bundesligë për Idrizin u pasua me debutim te Kosova.

Ai kishte luajtur tri ndeshje për Kosovën U21, ndërsa tashmë i ka katër ndeshje për Kosovën A. U ftua në fund të majit të vitit të kaluar për miqësoret me San Marinon dhe Maltën. Debutoi ndaj San Marinos më 1 qershor të vitit të kaluar. Luajti edhe ndaj Maltës tri ditë më vonë. Në shtator e tetor të vitit të kaluar mungoi për shkak të një lëndimi., ndërsa ndaj Greqisë në nëntor luajti 86 minuta. Ishte startues edhe në miqësoren ndaj Zvicrës, më 29 mars të këtij viti. Pritet të jetë kyç në mesfushë edhe në kampanjën e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Idrizi ka folur për përvojën e deritashme te Kosova.

“Ashtu si te Schalke, çdo gjë rrodhi shumë shpejtë. Menjëherë pas ndeshjes me Frankfurtin, selektori më ftoi për ndeshjet miqësore me San Marinon dhe Maltën. Më parë gjithnjë e kam përcjellë Kosovën nëpërmjet televizorit. Dhe përnjëherë unë jam në fushën e blertë duke prezantuar vendin tim. Si futbollist, ju jetoni për tregime si ky”, ka theksuar Blendi Idrizi.

Ai ka treguar se atmosfera te Schalke ishte shumë më e mirë që prej ditës së parë të grumbullimit për edicionin e ri. Dhe kjo atmosferë solli rikthimin e pritur të menjëhershëm në Bundesligë.

Edhe Idrizi i vendosur t’i dëshmojë vlerat në Bundesliga 2 Sport Idrizi i vendosur t’i dëshmojë vlerat në Bundesliga 2

Për kohë të gjatë në rrugë të mirë për kalim në Bundesligë ishte edhe Leart Paqarada me St. Paulin.

Por St. Pauli tashmë është thuajse pa gjasa. Një xhiro para fundit i ka 54 pikë në vendin e pestë. Ndaj Schalkes, Paqarada luajti deri në minutën e 80-të.