Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Blendi Idrizi, është kthyer në Bundesliga 2. 24-vjeçari të martën është huazuar nga Schalke te Jahn Regensburgu. Huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit aktual, përkatësisht deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Schalke është kthyer këtë edicion në Bundesligë. Por Idrizi nuk ka gjetur vend në skuadër. Nuk është grumbulluar për asnjërën prej katër ndeshjeve të deritashme. Në një ndeshje për Kupë, qëndroi në stol. Rrjedhimisht mesfushori ka vendosur për një ligë më të ulët, por me shpresë se do të luajë rregullisht.
“Blendi është lojtar me teknikë të mirë. Mund të shfrytëzohet në shumë pozita. Kemi kërkuar një lojtar të tillë dhe e kemi gjetur. Jemi të bindur se ai do të na ndihmojë në përmirësimin e lojës”, ka thënë drejtori sportiv i Jahn Regensburg, Roger Stilz.
Bundesliga 2 është e njohur për Idrizin, që i ka pesë paraqitje për Kosovën. Në edicionin e kaluar ai regjistroi 22 paraqitje për Schalken në kategorinë e dytë gjermane, ndërsa e kishte një gol dhe katër asistime.
Në fund të edicionit 2020/2021 kishte luajtur tri ndeshje për Schalken në Bundesligë, kur skuadra me nam ishte pa gjasa për të mbetur në elitën gjermane. Kishte shënuar një gol dhe ishte paraqitur mirë. Rrjedhimisht fitoi kontratë dhe zuri vend në skuadër. Por pas kthimit të Schalkes në Bundesligë, Idrizi ka mbetur jashtë planeve të trajnerit.
Idrizi ka theksuar se te Jahn Regensburg synon të vazhdojë zhvillimin si lojtar.
Edhe
Idrizi po e shfrytëzon mirë rastin e dytë te Schalke
“Jam i lumtur që jam këtu dhe tani dua të fillojë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Idrizi. Mesfushori synon që me lojën e tij të sjellë më shumë kreativitet te Jahni.
“Dua të zhvillohem tutje në çdo vend. Kam shumë para vetes. Dua të kem ndeshje te Jahni dhe të ndihmoj ekipin me gola dhe asistime”, ka theksuar Idrizi.
Idrizi ka tri ndeshje me U21 të Kosovës. Te Kosova A debutoi në qershor të vitit të kaluar. Jahn Regensburgu edicionin e kaluar e përfundoi në pozitën e 15-të në kategorinë e dytë gjermane, Në edicionin aktual ka startuar me dy fitore, një barazim e tri humbje. Është në pjesën e poshtme të tabelës.