Futboll

Mesfushori kosovar transferohet tek Altachu

AAL

Skuadra e elitës së futbollit austriak, Altach, e ka transferuar Blendi Idrizin, lojtarin që ka nëntë paraqitje për Kosovën. 

27-vjeçari, që është mesfushor me tipare sulmuese, së fundi ishte te Schalke e Bundesligës 2, ndërsa ka qenë pa klub prej verës së vitit 2024. 

Idrizi e ka përfunduar rehabilitimin në Altach prej muajit korrik. 

Ai ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm, me opsionin e vazhdimit edhe për një edicion tjetër. 

Idrizi nuk ka luajtur ndeshje zyrtare për më shumë se një vit. 

Gjatë karrierës, futbollisti i lindur në Gjermani i ka 56 ndeshje në Bundesliga 2, si dhe tri paraqitje në Kupën e Gjermanisë dhe në Bundesligë. 

Idrizi e ka një gol të shënuar në Bundesligë, atë kundër Eintracht Frankfurtit, në ndeshjen e xhiros së 33-të të edicionit 2020/21.

“Jam i lumtur që jam pjesë e Altachut. Në javët e kaluara kam qenë këtu dhe jam njoftuar me klubin, stafin, bashkëlojtarët. Jam ndier mirë prej fillimit. Dua që shpejt ta jap kontributin tim dhe të jemi të suksesshëm me djemtë”, ka deklaruar Idrizi për faqen zyrtare të Altachut.