Kualitetet e Blendi Idrizit befasisht janë sërish kërkesë te skuadra e Schalkes. Idrizi ishte vlerësuar shumë në Gjermani në të kaluarën, por pati një rënie të madhe të formës. Mesfushori 25-vjeçar ishte huazuar në edicionin e kaluar te skuadra e Regensburgu, ndërsa nga data 30 qershor i vitit të shkuar është bashkuar sërish me Schalken.
Por, te Schalke nuk llogaritën shumë në Idrizin gjatë pjesës së parë të edicionit aktual. Së fundmi, ai ka nisur të aktivizohet vazhdimisht dhe po ka paraqitje të mira. Ka shënuar një gol dhe ka kontribuuar me dy asistime në gjashtë ndeshje të Bundesligës 2. Një tjetër gol, Idrizi e ka shënuar të shtunën në miqësoren që Schalke e fitoi 3:1 kundër Eupenit. Forma e mirë e ka gëzuar shumë Idrizin, që natyrisht, nuk i ka pasur të lehtë muajt e fundit. Në verë, ai madje konsiderohej si kandidati numër një për t’u larguar nga Schalke, ka shkruar mediumi gjerman “ruhr24”. Por me formën e mirë që e ka treguar kohët e fundit, ai ka bindur zyrtarët e skuadrës së madhe gjermane që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman për ta mbajtur në ekip. Skuadra e Schalkes ka pasur telashe të shumta së fundmi, ndërsa pas një kohe të gjatë e humbi edhe epitetin e skuadrës elitare të Gjermanisë. Idrizi thotë se ndryshimi i trajnerëve ka bërë që ai të ketë përparësi.
Thomas Reis u largua, ndërsa vendin e tij si trajner e zuri Karel Geraerts.
“Kam stërvitur mirë që nga fillimi por nuk e kisha shansin”, ka thënë 25-vjeçari për kohën nën drejtimin e Reisit.
Idrizi nisi të luante vazhdimisht te Schalke prej xhiros së 13-të. Dhe, paraqitjet e Idrizit janë vlerësuar edhe nga bashkëlojtarët. Portieri Ralf Fahrmann ishte entuziast për Idrizin pas ndeshjes ndaj Eupenit.
“Ai e shfrytëzoi çdo shans që kishte. Jemi të lumtur të gjithë kur çdo lojtar është në maksimumin e vet”, ka deklaruar Fahrmann.
Edhe
Mesfushori kosovar transferohet tek Altachu
Idrizi ka kontratë me Schalken deri më 30 qershor të këtij viti. Nuk dihet nëse do të vazhdojë ende me Schalken apo do të largohet nga ekipi. Largimin nuk po e mendon as vetë futbollisti që ka gjashtë paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës.
“Dua që të luajë dhe të paraqitem mirë në çdo ndeshje. Dua që të jap kontributin me gola e asistime”, ka shtuar tutje ai.
Mesfushori kosovar pritet që të ketë edhe më shumë mundësi për lojë në pjesën e dytë të edicionit aktual. Madje, ai mund edhe të shpërblehet me kontratë të re. Forma e tij do t’i shërbente edhe Kosovës që ka nevojë për mesfushorë kualitativ. Idrizi te Kosova ka debutuar më 1 qershor të vitit 2021 në miqësoren kundër San Marinos. Në ndeshje miqësore ka luajtur edhe ndaj Maltës e Zvicrës. Në ndeshje zyrtare te Kosova, Idrizi është paraqitur në duelet kundër Greqisë dhe një kundër Qipros.