Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Holandezët synojnë fillim të furishëm ndaj Senegalit pa Manen

Holanda ka dy synime për ndeshjen e parë të saj në Kupën e Botës. Holanda luan të hënën prej orës 17:00 me Senegalin në kuadër të Grupit A. Senegali do të mundohet ta kalojë pa shumë pasoja mungesën e yllit më të madh, Sadio Mane, që mbeti jashtë Botërorit për shkak të lëndimit.

Synimi i parë i Holandës është plotësisht sportiv. “Tulipanët” duan të konfirmohen si pretendues për titull në Katar, përkrah përfaqësueseve si Brazili, Franca e Argjentina. Holandezët kishin më pak vëmendje gjatë fazës përgatitore për Botëror pasi dështuan të kualifikohen katër vjet më parë në Rusi. Por në Katar, Holanda ka arritur si një prej përfaqësueseve më në formë të Evropës.

“Ne kemi shanse të mëdha për t’u bërë kampionë botërorë”, ka thënë selektori i Holandës, Louis van Gaal, që është kthyer për periudhën e tretë te përfaqësuesja. “Ka pak trajnerë që flasin kështu, por unë e them këtë”.

Synimi i dytë i Holandës në stadiumin “Al Thumama” në Doha është që të përqendrohet rreth kritikave të gjata ndaj ligjeve të nikoqirit të Botërorit dhe historisë së tij për të drejtat e njeriut.

Federata e Futbollit e Holandës është lider i lëvizjes kundër diskriminimit, “One Love”. Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, pritet të mbajë në krah shirit shumëngjyrësh në formë zemre, në kundërshtim me një urdhër të FIFA-s për ta mbajtur politikën jashtë Botërorit.

Edhe Holanda e Van Gaalit me gjasa të mira për kualifikim Sport Holanda e Van Gaalit me gjasa të mira për kualifikim

Shiritat “One Love” janë kritikë ndaj ligjeve të Katarit, që homoseksualitetin e vlerësojnë krim. Kapitenët e Anglisë dhe Uellsit po ashtu kanë thënë se do ta injorojnë kërkesën e FIFA-s dhe do të mbajnë shirita të tillë në krah në ndeshjet e tjera të së hënës.

Në mesin e trajnerëve, Van Gaal ka qenë njëri prej më kritikëve që Katarit iu dha e drejta e organizimit të Botërorit. Trajneri legjendar holandez e ka quajtur vendimin “qesharak”. Ai zbuti kritikat në konferencën e parë për shtyp në Katar, por prapë tha se do të preferonte që turneu të mbahej në një vend tjetër, me përvojë më të madhe në futboll.

Kupa e Botës me gjasë do të jetë ngjarja e fundit e madhe për 71-vjeçarin Van Gaal, që ka njoftuar këtë vit se ka kancer në prostatë.

Holanda ka humbur tri finale të Kupës së Botës, në vitet 1974, 1978 dhe 2010. Ndonëse në grupin A rruga është e gjatë, ndeshja hapëse ndaj kampionit afrikan, Senegalit, është sfidë e madhe e hershme për Holandën dhe një tregues për rrugën e kësaj përfaqësuese. Katari dhe Ekuadori janë përfaqësueset e tjera në grupin A.

Edhe Holanda thyen me vështirësi Senegalin Sport Holanda thyen me vështirësi Senegalin

Holanda është në seri prej 15 ndeshjeve pa humbje. Sulmuesi Memphis Depay tha se është rikuperuar nga një lëndim i kofshës, duke zbutur shqetësimin më serioz për Van Gaalin. Ai megjithatë mund ta mbajë në stol sulmuesin.

Selektori i Senegalit, Aliou Cisse, nuk e kishte këtë fat me lojtarin kryesor, Sadio Mane. Të enjten u njoftua se Mane mbetet jashtë Botërorit për shkak të një lëndimi të pësuar pak javë më parë te Bayerni. Mane 30-vjeçar i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike dhe kjo ishte goditja më e madhe për Senegalin në prag të Botërorit. Senegali, megjithatë, ka lojtarë të tjerë të rëndësishëm dhe nuk pritet të jetë pengesë e lehtë për Holandën.