Sadio Mane u përfshi të premten në ekipin e Senegalit për Kupën e Botës. Selektori Aliou Cisse rrezikoi ta ftonte një nga sulmuesit më të mirë në botë, i cili dëmtoi këmbën e djathtë këtë javë duke luajtur për Bayern Munichun.
Cisse tha se ekipi mjekësor i Senegalit shpresonte se Manes do t'i duhej rreth një javë për t'u rikuperuar nga lëndimi që pësoi të martën në një ndeshje të ligës në Gjermani dhe se do të jetë gati për ndeshjen hapëse të Senegalit në Kupën e Botës kundër Holandës më 21 nëntor. Holanda është skuadra më e fortë e Grupit A, që e përbëjnë edhe Ekuadori e Katari.
Cisse gjithashtu e la të hapur mundësinë që Mane të mos rikuperohet në kohë për turneun, gjë që do të shkatërronte shpresat e një shteti. I gjithë Senegali shpresat i ka te sulmuesi i Bayernit për sukses në Katar.
“Sadio Mane është një lojtar kyç në grupin tonë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ta kemi në dispozicion”, tha Cisse në prezantimin e skuadrës së Senegalit, në Dakar. “Humbja e Sadio Manes nuk është diçka e vogël për futbollin e Senegalit dhe Afrikës. Ne duhet të parashikojmë në rast se ai mungon, por kemi ende kohë për të parë nëse ai do të jetë në formë apo jo. Nuk mund të flas për mungesën e tij edhe nëse në kokën time duhet ta marr parasysh këtë”.
Cisse tha se Senegali kishte dërguar mjekun e ekipit në Munih për të ekzaminuar dëmtimin e Manes dhe “lajmi i mirë” ishte se ylli afrikan nuk kishte nevojë për operacion. Diagnoza fillestare ishte se Mane do të ishte jashtë për rreth një javë, tha Cisse.
Bayerni ka thënë tashmë se Mane do të humbasë ndeshjen e kësaj fundjave kundër Schalkes në Bundesligë për shkak të dëmtimit, por nuk dha një afat përfundimtar kohor për rikuperimin e tij. Mane është fokusi i ekipit të Senegalit, i cili fitoi titullin e parë të Kupës së Afrikës këtë vit dhe vlerësohet nga shumë njerëz si ekipi më i mirë afrikan që ka shkuar ndonjëherë në Kupë Botërore. Ka shpresa realiste për të kaluar në çerekfinale dhe mund të jetë shansi më i mirë i Afrikës për të pasur një ekip në katërshen e fundit në një Kupë Bote për herë të parë.
30-vjeçari Mane ka qenë jetik për Senegalin, duke shënuar penalltinë që siguroi titullin e Kupës së Afrikës kundër Egjiptit në shkurt. Një muaj më vonë, ai shënoi gjithashtu penalltinë fituese që i dha Senegalit një vend në Kupën e Botës në Katar. Senegali kaloi përmes plejofit, duke mundur përsëri Egjiptin. Mane së fundmi u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Senegalit dhe përfundoi i dyti në renditjen për “Topin e Artë” të këtij viti pas Karim Benzemas të Real Madridit.
Pjesa tjetër e skuadrës ishte ashtu siç pritej, me Cissen që mbante besimin në ekipin që fitoi Kupën e Afrikës në Kamerun, për titullin e parë të madh të Senegalit. Përzgjedhja përfshinë portierin Edouard Mendy dhe qendërmbrojtësin Kalidou Koulibaly, mesfushorët Idrissa Gueye, Nampalys Mendy dhe Cheikhou Kouyate, si dhe sulmuesit Ismaila Sarr e Famara Diedhiou. Është gjithashtu mbrojtësi i Milanit, Fode Ballo-Toure dhe mesfushori i Tottenhamit, Pape Matar Sarr, të cilët janë pretendentë të rinj për një vend titullari.
Lajmi për dëmtimin e Manes e vuri shtetin e tij në Afrikën Perëndimore në alarm. Edhe presidenti i Senegalit, Macky Sall, bëri një postim në “Twitter” duke shpresuar për “shërimin e shpejtë” dhe në kohë për Kupën e Botës. Senegali do të luajë me Katarin, Holandën dhe Ekuadorin në Grupin A, ndërsa Cisse tha se skuadra e tij do të vazhdojë të përgatitet siç kishin planifikuar, pavarësisht situatës me Manen.
“Për momentin, nuk bëhet fjalë për të ndryshuar ndonjë gjë”, tha Cisse.
Rregullat e Kupës së Botës lejojnë përfaqësueset të zëvendësojnë një lojtar të dëmtuar deri një ditë përpara ndeshjes hapëse të ekipit, që do të thotë se Senegali ka ende opsionin për të sjellë një lojtar tjetër më vonë nëse Mane nuk shërohet në kohë. Kjo do të ishte edhe një goditje e rëndë për shpresat senegaleze dhe vetë Kupën e Botës.
Mane është ndoshta në kulmin e karrierës dhe mund të mos ketë një shans tjetër në Kupën e Botës. Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann të premten është treguar tejet pesimist duke thënë se vështirë që Mane do të mund të luajë në Botëror. Ai ka pranuar se te Bayerni janë të shqetësuar për ftesën nga Senegali.
“Nëse lojtari kthehet më herët nga lëndimi është shumë rrezik dhe Manes i duhet më shumë se një javë për të pauzuar. Do të bëjmë edhe një kontrollim pas dhjetë ditësh dhe do të shohim si po shkon procesi i rehabilitimit të tij. Është e natyrshme që Senegali dëshiron që Mane të luaj, por ai ka dhimbje dhe nuk mundet. Ne do t’i sqarojmë gjërat në vazhdim”, tha Nagelsmann.