Sport

Hajrizi i gëzuar për fitoren e Kupës: Asgjë nuk përfundon sot

Ylli i Trepçës, Drilon Hajrizi, është shprehur tejet i gëzuar që ekipi i tij fitoi Kupën e Kosovës në basketboll për herë të tretë rresht.

Ai ka thënë se Trepça synon ta fitojë edhe titullin e kampionit.

“Shumë i gëzuar, i emocionuar për gjithë këta njerëz, për gjithë këtë gëzim që po ua ofrojmë. I përgëzoj bashkëlojtarët që luftuan deri në fund. Jam shumë i gëzuar për trofe, por asgjë nuk përfundon sot. Shpresojmë se do të vazhdojmë njëjtë dhe në fund do ta fitojmë titullin që jemi duke e kërkuar gjatë. Lojërat me Prishtinën janë më emocionalet. E përgëzoj edhe Prishtinën për lojën, por ne e deshëm fitoren pak më shumë dhe arritëm të fitojmë. Ia uroj gjithë Mitrovicës fitoren”, ka thënë ai pas takimit dramatik.

Në finalen skajshmërisht dramatike, Trepça e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 71:69 të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Prishtina kishte dy gjuajtjet e fundit, por nuk i realizoi.