Drilon Hajrizi është autor i pikëve të para të përfaqësueses së Kosovës në basketboll në ndeshjet zyrtare, përkatësisht në kualifikime. Ishte minuta e tretë e ndeshjes Slloveni – Kosovë, kur Hajrizi realizoi për dy pikë, përkatësisht për të ngushtuar rezultatin në 6:2.
Ndeshja historike për Kosovën, e para në kualifikime, ishte zhvilluar më 31 gusht të vitit 2016 në Lubjanë. Ndeshja i takoi grupit E të kualifikimeve për Eurobasket 2017, ku bënin pjesë edhe Ukraina e Bullgaria. Sllovenët, që ishin favoritë të mëdhenj, fituan me rezultatin bindës, 113:68. Më efikasi te Kosova ishte Dardan Berisha me 21 pikë.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të enjten nisi garimin në raundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027, pra për ngjarjen që zhvillohet dhjetë vjet pas Evropianit 2017.
Hajrizi e Berisha vazhdojnë të jenë pjesë e përfaqësueses, gati tetë vjet pas asaj ndeshjeje historike në Lubjanë. Për më tepër janë lojtarët kryesorë.
Berisha e Hajrizi ishin lojtarët kryesorë të Kosovës edhe në ciklin e parë kualifikues. Në ndeshjen ndaj Sllovenisë, Berisha në parket i kishte kaluar 35 minuta, ndërsa i kishte edhe tri asistime. Hajrizi kishte luajtur mbi 27 minuta, ndërsa kishte realizuar shtatë pikë, pesë kërcime e dy asistime. Në bazë të të dhënave statistikore, më i mirë se Hajrizi e Berisha ishte vetëm Fisnik Rugova. Për 30 minuta në parket, Rugova kishte 14 pikë e shtatë kërcime.

Kosova të enjten mbrëma në palestrën e mbushur me shikues në Prishtinë e mposhti Irlandën me rezultat 83:76. Ndeshja ishte e fortë, por Kosova ishte në të shumtën e kohës në epërsi dhe festoi në fund.
Drilon Hajrizi nuk startoi te Kosova për shkak se ishte i sëmurë ditëve të kaluara. Hajrizi në parket i kaloi mbi 25 minuta, ndërsa kontribuoi në fitore me 20 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Ishte bindshëm më i miri, në bazë të statistikave. Kapiteni Dardan Berisha ndeshjen e mbylli me 19 pikë e dy kërcime. 35-vjeçari ishte lojtari i dytë më efikas te Kosova.
Fakti që Hajrizi e Berisha janë ende dy lojtarët kryesorë të Kosovës ka dy anë të medaljes. Dëshmon për vazhdimësinë e këtyre dy lojtarëve dhe për nivelin e lartë që e kanë mbajtur. Ndërkohë dëshmon edhe faktin se klubet kosovare, ndonëse po investojnë miliona, nuk po nxjerrin lojtarë të rinj. Dhe ky vlerësohet problem në rritje të vazhdueshme për basketbollin kosovar. Klubet investojnë kryesisht në lojtarë të huaj, ndërsa hapësira për të rinjtë vendorë thuajse nuk ekziston. Madje klubet janë të gatshme të paguajnë gjobën financiare vetëm për të mos bërë vend për të rinjtë në dymbëdhjetëshe. Kjo vlerësohet se ka kosto të lartë sa i takon të ardhmes së basketbollit. Dhe fakti që mezi grumbullohen 12 lojtarë cilësorë për përfaqësuese, duhet të shërbejë si alarm.
Në mbrëmjen e ngrohtë të 31 gushtit të vitit 2016, Hajrizi, Berisha dhe të tjerët vështirë se kanë mundur të imagjinojnë që tetë vjet më pas nuk do të kenë thuajse fare konkurrencë nga basketbollistët e rinj të vendit.
“Definitivisht loja e parë e nivelit kaq të lartë ishte shumë e vështirë. Ishte një emocion që nuk përshkruhet me fjalë. Fillimi ishte i dobët për këtë arsye. Jam i bindur se rezultati nuk është real. Kemi kualitet për më mirë. Na mbetet të jemi të bashkuar, i kemi edhe pse ndeshje. Na nevojitet ndihma e publikut në ndeshjet si vendas. Angazhim nga ne do të ketë. Mbetet të shihet se si do të përfundojmë”, deklaronte Drilon Hajrizi pas ndeshjes historike në Slloveni.
Kosova i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet e kualifikimeve për Eurobasket 2017. Deri më tani vetëm një cikël e ka kaluar me sukses. I dyti shpresohet të jetë ky i parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Natyrisht, duke u mbështetur në përvojën dhe cilësinë e Hajrizit e Berishës.