Basketbollistët e Kosovës e kanë përfunduar me humbje raundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.
Të dielën pasdite, Kosova pësoi në udhëtim nga Sllovakia me rezultatin 86:83.
Sllovakët ishin në epërs në shumicën e kohës. Por në fund ndeshja u bë dramatike. Drilon Hajrizi shënoi 3:57 para fundit për epërsinë 80:79 të Kosovës. Hajrizi shënoi edhe për 83:81, kurse sllovakët barazuan në 83:83, 44 sekonda para fundit. Në aksionin e radhës i pasaktë ishte Dardan Berisha, ndërsa Dalibor Hlovak shënoi për tri pikë, 11 sekonda para fundit, për 86:83. Pasuan dy gjuajtje të lira të pasakta të Divine Myles dhe kështu fitorja ishte e sllovakëve.
Drilon Hajrizi u dallua te Kosova me 20 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Divine Myles i kishte 17 pikë e e katër asistime, por në momente të rëndësishme shfaqi lojë individuale që kushtoi. Lis Shoshi i realizoi nëntë pikë e 13 kërcime, ndërsa Musab Mala i kishte 11 pikë e pesë kërcime. Kapiteni Dardan Berisha realizoi 14 pikë, por kishte shumë gjuajtje të humbura.
Sllovakia e fitoi grupin duke i fituar të gjitha katër ndeshjet dhe avancoi në raundin e dytë të parakualifikimeve. Ndërkohë Kosova e përfundoi garën me një fitore dhe tri humbje. E mposhti Shqipërinë në Shkodër. Më pas humbi në shtëpi nga Sllovakia dhe Shqipëria, ndërsa të dielën humbi edhe në udhëtim nga sllovakët.
Edhe
Kosova po mposhtet pas pjesës së parë nga Sllovakia
Kosova është zhvendosur në raundin e tretë të parakualifikimeve, ku përfaqësueset më të dobëta të raundit të parë parakualifikues e kanë edhe një rast.
Kosova në fakt ka përfunduar vetëm edhe një kampanjë të pasuksesshme. Deri më tani vetëm një herë ka kaluar me sukses cikël kualifikues. Për basketbollistët e Kosovës ngjarjet e mëdha mbeten shumë larg.