Përzgjedhësi i Kosovës, Bujar Loci, të dielën e ka shpallur listën e basketbollistëve për ndeshjen e vështirë me Sllovakinë. Dhe pjesë e listës nuk janë dy lojtarët kryesorë të Kosovës, kapiteni Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi.
Të dy janë ftuar nga Loci, por mungojnë për shkak të lëndimeve. Derisa Berisha ka shumë javë që nuk luan për Pejën, Drilon Hajrizi të shtunën mbrëma u paraqit 16 minuta për Trepçën ndaj Sigal Prishtinës. I realizoi tetë pikë e gjashtë kërcime. Të mërkurën e kaluar u paraqit në finale të Kupës, të cilën Trepça e fitoi ndaj Bashkimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKosova luan të premten ndaj Sllovakisë, në kuadër të Grupit C të raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2029”.
Ndonëse FBK-ja e ka quajtur listë të gjerë, në listën e publikuar janë vetëm 13 basketbollistë. Vetëm njëri prej tyre do të mbetet jashtë për ndeshje. Prej lojtarëve të natyralizuar është vendosur për Divine Myles e jo për ndonjërin prej amerikanëve që bëjnë karrierë në Kosovë: Scott Bamforth, Shawn Jones apo Malcolm Armstead.
Janë ftuar edhe Valon Bunjaku, Musab Mala, Jon Ismajli, Mikaile Tmushiq, Erjon Kastrati, Arian Qallaku, Muhamedali Janjeva, Samir Zekiqi, Bardh Istrefi, Gëzim Morina, Dardan Kapiti e Lis Shoshi.
Pak prej këtyre basketbollistëve janë bartës të lojës në skuadrat ku paraqiten. Për shembull Muhamedali Janjeva luajti vetëm gjashtë minuta në ndeshjen e fundit të Bashkimit. Jon Ismajli nuk e mori asnjë minutë te Prishtina në ndeshjen ndaj Trepçës. Lis Shoshi i kishte mbi 10 minuta te Ylli, Gëzim Morina 17 e Qallaku më pak se tetë.
Për shumë vjet bartës të lojës së Kosovës janë Dardan Berisha e Drilon Hajrizi.
“Kam pasur telashe me gju, por për shkak të orarit shumë të ngjeshur dhe ndeshjeve të shpeshta nuk kam mundur të kem pushimin dhe trajtimin e duhur. Mjeku më ka kërkuar që të pushoj një javë deri në dhjetë ditë në këtë fazë dhe për këtë arsye e kam të pamundur të jem në dispozicion të reprezentacionit. Për këtë e kam njoftuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës përmes një emaili”, ka thënë Drilon Hajrizi për KOHËN, pasi u publikua lista.
FBK-ja ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore mungon edhe Meriton Ismaili.
Kosova tashmë e ka luajtur një ndeshje në këto kualifikime. Më 30 nëntor fitoi 99:84 ndaj Shqipërisë në Shkodër. Ndërkohë më 27 nëntor Sllovakia fitoi si vendase ndaj Shqipërisë me rezultat 73:63.
Sllovakia vlerësohet rivalja e Kosovës për vendin e parë në grup, që dërgon në raundin e dytë të parakualifikimeve. Kalimi në raundin e dytë është i mundur edhe prej pozitës së dytë, por kjo nuk është e garantuar.

Hajrizi tregon pse nuk mund t’i bashkohet Kosovës
Drilon Hajrizi do të jetë mungesë e madhe e Kosovës në ndeshjen e 27 shkurtit ndaj Sllovakisë.
Hajrizi, që është prej lojtarëve kryesorë te Kosova, ka treguar për KOHËN pse nuk do të jetë në dispozicion të selektorit Bujar Loci për ndeshjen e rëndësishme të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.
“Kam pasur telashe me gju, por për shkak të orarit shumë të ngjeshur dhe ndeshjeve të shpeshta nuk kam mundur të kem pushimin dhe trajtimin e duhur. Mjeku më ka kërkuar që të pushojë një javë deri në dhjetë ditë në këtë fazë dhe për këtë arsye e kam të pamundur të jem në dispozicion të reprezentacionit. Për këtë e kam njoftuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës përmes një emaili”, ka thënë Hajrizi të dielën mbrëma.
Ai është prej lojtarëve të rëndësishëm të Trepçës dhe bashkë me Dardan Berishën për mbi një dekadë lojtarët më të mirë nga Kosova.
Kosovës i mungojnë edhe kapiteni Dardan Berisha dhe Meriton Ismaili.
Rrjedhimisht ndeshja ndaj Sllovakisë pritet të jetë shumë sfiduese.