Erling Haalandi kishte pesë ndeshje pa shënuar gol në Ligën e Kampionëve, por realizoi dy herë në fitoren 3:1 të Manchester Cityt në udhëtim te Young Boysi në Bern, të mërkurën mbrëma. Haalandi ishte shumë i kritikuar së fundmi për paraqitjet e tij, por trajneri Pep Guardiola i ka dalë në mbrojtje, duke thënë se ai do të shënojë gjithë jetën e tij. Haalandi edicionin e kaluar e mbylli me 52 gola të realizuar në 53 ndeshje për Cityn që fitoi tripletën.
Goli nga penalltia ndaj skuadrës zvicerane në “Champions”, ishte i pari për Haalandin pas 543 minutave lojë në garën elitare të Evropës për klube.
Për herë të fundit kishte shënuar ndaj Bayern Munichut në muajin prill. Haalandi ka 37 gola në 33 paraqitje në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Me 23 vjet e 96 ditë, Haalandi bëhet futbollisti më i ri në moshë që e arrin këtë shifër të golave në “Champions”. E ka thyer edhe rekordin e Kylian Mbappes.