Futboll

Haalandi krenar për rekordin e 100 golave

Erling Haalandi

Erling Haalandi ka thënë se është krenar që e arriti shifrën e 100 golave më shpejtë se çdo kush tjetër në historinë e Premier Leagues. 

Ai këtë shifër jubilare e arriti në fitoren 5:4 të Manchester Cityt të martën mbrëma ndaj Fulhamit në udhëtim. 

25-vjeçari tani ka 20 gola në 19 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni. 

“Moment krenarie. Arritja e shifrës prej 100 golave është e shkëlqyeshme. Jam krenar dhe i lumtur. E kam thënë disa herë, një sulmues i Cityt duhet të shënojë shumë gola. Kjo është puna ime, këtë po provoj ta bëj. Dhe nuk jam keq”, ka deklaruar pas ndeshjes sulmuesi norvegjez. 

Haalandi u transferua nga Borussia Dortmundi në vitin 2022, ndërsa 100 gola në elitën angleze i shënoi për vetëm 111 ndeshje. 

Ai e theu rekordin e Alan Shearerit, që për ta arritur shifrën e 100 golave iu deshën 124 ndeshje.