Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Golat e Berishës pritet t’ia sigurojnë ftesën nga Flicku

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Hansi Flick, ka paralajmëruar se do të ftojë edhe lojtarë të rinj për ndeshjet e këtij muaji. E një prej surprizave më të mëdha në listën e Flickut pritet të jetë sulmuesi i Augsburgut, Mërgim Berisha, ka shkruar “BR.de” të dielën. Flick të premten do ta bëjë publike listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e këtij muaji, miqësoret me Perunë (25 mars) dhe Belgjikën (28 mars), të cilat do të luhen në Mainz, përkatësisht Koeln.

Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë Flickut për t’i parë nga afër lojtarët, të cilët do t’i ftojë për kualifikimet në Evropianin e vitit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Gjermani. E Berisha do të jetë njëri prej kandidatëve kryesorë për të luajtur në këtë ngjarje, sidomos pas paraqitjeve që po i tregon këtë sezon me fanellën e Augsburgut, ekip tek i cili është huazuar nga Fenerbahçe. Sulmuesi 24-vjeçar edhe në ndeshjen e fundit kampionale, të cilën Augsburgu e humbi në udhëtim nga Bayerni 5:3 pati paraqitje të mirë. Në fakt, ai shënoi dy gola për ta çuar numrin e tyre në tetë këtë sezon në 18 paraqitje kampionale. Krahas tetë golave, Berisha ka edhe katër asistime, ndërsa një gol e ka shënuar edhe në Kupën e Gjermanisë.

“Për fat të keq, dy golat që i shënova nuk mjaftuan për rezultat pozitiv. Në këtë rast, golat e mi nuk kanë ndonjë vlerë pasi ekipi nuk fitoi. Megjithatë, është e rëndësishme që prej kësaj humbjeje kemi mësuar diçka”, ka pranuar Berisha.

Bazuar në atë që ka treguar Berisha deri më tani në fushë, tek Augsburgu janë të bindur se sulmuesi do të ftohet nga Flicku. Sipas portierit Rafael Gikiewicz, dy golat ndaj Bayernit janë dëshmi e mjaftueshme për Flickun që t’ia dërgojë ftesën Berishës.

“Ai shënoi dy gola të mirë ndaj Bayernit dhe e përballoi shumë mirë Dayot Upamecanon. Madje, mund të them se ai luftoi ndaj tij më mirë se Mbappe e Messi, që u mposhtën dhe eliminuan nga Bayerni në Champions”, ka insistuar Gikiewicz. “Mërgimi është një sulmues i jashtëzakonshëm, i cili me dy golat e fundit dëshmoi se meriton të ftohet nga Gjermania”.

Edhe Mërgim Berisha është ftuar nga Gjermania për miqësoret e këtij muaji Sport Mërgim Berisha është ftuar nga Gjermania për miqësoret e këtij muaji

Mendimin e njëjtë me portierin Gikiewicz e ndan edhe kapiteni i Augsburgut, Jeffrey Gouweleeuw.

“Ai po luan mirë këtë sezon dhe në secilën ndeshje po bën një punë të shkëlqyer për ekipin, duke shënuar apo asistuar për të tjerët. Ai ia dha Flickut një sinjal të mirë me dy golat e fundit dhe unë jam i bindur se do të ketë vend për të në listën që do të publikohet në fund të javës së ardhshme”, u shpreh Gouweleeuw.

Në rast se ftohet nga Flick, atëherë për Berishën kjo do të jetë hera e parë te Përfaqësuesja e Gjermanisë. Ai ka luajtur për gjeneratën U21, me të cilën e ka fituar titullin e kampionit të Evropës. Me fanellën e ekipit U21 të Gjermanisë, Berisha ka shënuar një gol në 13 paraqitje. Edhe drejtori i Augsburgut, Stefan Reuter, do të ishte tejet i lumtur nëse pranon ftesën për Berishën nga Flicku.

“Mërgimi është sulmuesi të cilit i besoi në ekipin e seniorëve. Sigurisht, do të ishte shumë i lumtur nëse një lojtar i Augsburgut do të luante për Gjermaninë dhe jam optimist se ai do të jetë Mërgimi”, ka insistuar Reuter.

Edhe Berisha pritet t’i bashkohet Rexhbeçajt tek Augsburgu Futboll Berisha pritet t’i bashkohet Rexhbeçajt tek Augsburgu

Tek Augsburgu thuhet se tashmë kanë marrë vendim për ta shfrytëzuar opsionin e blerjes së kartonit të tij, ndonëse Reuter nuk ka dhënë detaje rreth kësaj çështjeje. Berisha ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2025, ndërsa Augsburgu mund ta blejë atë për gjashtë milionë euro deri në fund të këtij sezoni. Ai si lojtar është zhvilluar në akademinë e Salzburgut të Austrisë, ndërsa ka luajtur edhe për Lieferingun, LASK-un, Altachin e Magdeburgun. Ka fituar katër tituj kampioni të Austrisë me fanellën e Salzburgut, ekip prej të cilit u largua në vitin 2021 te Fenerbahçe për dhjetë milionë euro.

“Ai është një lojtar shumë i mirë. Po bën gjëra të mira para portës kundërshtare dhe kjo e bën atë njërin prej sulmuesve më të dalluar këtë edicion në Bundesligë”, ka pranuar drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq.