Sulmuesi Mërgim Berisha nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Augsburgut këtë edicion. Ai pritet të transferohet diku tjetër deri në fund të afatit kalimtar të verës, i cili mbyllet më 1 shtator. Largimin e Berishës nga ekipi gjerman e ka konfirmuar edhe trajneri i Augsburgut, Enrico Maasen.
Sipas tij, është Berisha ai që ka kërkuar largimin nga Augsburgu dhe klubi është në pritje të ofertave zyrtare për shërbimet e tij. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se skuadrat e interesuara për sulmuesin duhet të ofrojnë të paktën 15 milionë euro për kartonin e tij. Augsburgu të shtunën e nisi edicionin 2023/24 në Bundesligë, duke barazuar 4:4 kundër Borussia Moenchengladbachut. Në fakt, Berisha ishte titullar në këtë ndeshje dhe u aktivizua deri në minutën e 58-të. Trajneri Maasen ka pranuar se dëshira e tij është ta mbajë në ekip Berishën për shkak se i nevojitet një sulmues me karakteristikat e tij, por është 25-vjeçari që po insiston në largimin e tij me çdo kusht këtë verë. Ai edicionin e shkuar u huazua tek Augsburgu nga Fenerbahçe dhe ekipi gjerman muaj më parë e bëri transferim të përhershëm duke paguar 4 milionë euro për kartonin e tij. Berisha ka kontratë me skuadrën gjermane deri në verën e vitit 2027.
“Mërgimi ka cilësi të jashtëzakonshme përfundimi. Ai është i rrezikshëm me të majtën, me të djathtën dhe me kokë. Megjithatë, ai na ka njoftuar se do të donte të bënte hapin tjetër në karrierë. Dhe nëse ka ofrohet një mundësi, atëherë sigurisht se do të marrim parasysh pasi ka klube të interesuara por të cilat i ndjekin interesat e tyre ekonomike”, ka pranuar trajneri Maasen. “Për sa i përket cilësisë, Berisha do të ishte një lojtar i jashtëzakonshëm për ne në sulm, por duhet të respektojmë dëshirën e tij”.
Edhe drejtori sportiv i Augsburgut, Marinko Jurendiq, ka konfirmuar kërkesën e Berishës për largim dhe ka shtuar se së shpejti pritet të dihet e ardhmja e tij. Ai ka thënë se ka skuadra të interesuara për transferimin e tij, por që Augsburgu ende nuk ka marrë ofertë zyrtare prej asnjërës. Jurendiq nuk ka dashur t’i zbulojë emrat e ekipeve, pasi nuk ka dashur të bëjë asnjë parashikim në rastin e Berishës.
“Mërgimi nuk e ka shprehur vetëm dje dëshirën e tij për t’u larguar, por shumë kohë më parë. Ai ka ambicie sportive dhe klubi gjithashtu ka idetë e veta. Kështu që, do të shohim si do të rrjedhin gjërat në këto ditët e fundit të afatit kalimtar”, është shprehur Jurendiq.
Berisha si futbollist është zhvilluar në Austri, saktësisht në akademinë e Salzbugrut. Krahas ekipit të parë të Salzburgut, ai ka luajtur edhe për Lieferingun, LASK-un, Magdeburgun e Altachin. Ai te Fenerbahçe u transferua në vitin 2021 nga Salzburgu për 10 milionë euro, ndërsa pas një edicioni në Turqi, u huazua tek Augsburgu dhe në edicionin e tij të parë në Bundesligë realizoi 9 gola dhe bëri katër asistime. Ai ka edhe dy ndeshje të luajtura me Përfaqësuesen e Gjermanisë, ndërsa këtë edicion ka regjistruar dy paraqitje për Augsburgun.