Halim Gashi është bërë kampion i Zvicrës në taekwondo në vjeshtë, por nuk iu bashkua ekipit përfaqësues për shkak se është i përqendruar në praktikën si hidraulik.
Gashi është një prej rreth tre mijë personave që merren me taekwondo në Zvicër.
Është 17-vjeçar dhe jeton në Escholzmatt, kurse kësaj disiplinë olimpike iu bashkua para gjashtë vjetësh.
“Taekwondo është përzierje e karatesë dhe kikboksit. Është e rëndësishme për zhvillimin e vetëdisiplinës – agresiviteti nuk ka vend këtu”, thotë Halimi, shkruan të enjten “wochen-zeitung.ch”.
“Mua më pëlqejnë edhe artet e tjera marciale, por në taekwondo teknika e këmbës, shpejtësia dhe dinamika janë shumë të theksuara. Kjo më pëlqen shumë”, ka thënë Gashi.
Edhe
Taekwondistët e përfundojnë garimin, gjashtë kosovarë asnjë fitore
Gashi ka nisur të merret me taekwondo për shkak të babait të tij. Ai gjithmonë ka qenë i mahnitur nga artet marciale dhe vazhdimisht e ka përkrahur Halimin dhe vëllain e tij të vogël.
“Babai im është gjithmonë këtu – në stërvitje dhe turne. Ne jemi babë e bir, por në të njëjtën kohë jemi kolegët më të mirë”, thekson sportisti shqiptar.
Gashi stërvitet tri herë në javë në Schupfheim me trajnerin e tij, Michel Heldner.
“Më pëlqejnë luftërat. Nëse kam turne dhe e fitoj atë, zakonisht nuk jam shumë i kënaqur. Dua që të kthehem në luftëra me përmirësime në veten time. Por, natyrisht duhen shumë stërvitje”, thotë Gashi.
Muaj më parë Gashi e mbrojti titullin e kampionit të Zvicrës në konkurrencën e juniorëve, në kategorinë deri në 71 kilogramë. Ai dëshiron tani të jetë pjesëmarrës në kampionatin e Zvicrës 2023.
Dhe do të jetë viti kur do të debutojë me seniorët.
Edhe
Dy volejbollistet shqiptare që po korrin suksese në Zvicër
Gashi jeton me prindërit e tij dhe është me prejardhje nga Kosova. Është i lidhur shumë me Kosovën.
“Më pëlqen Kosova – në dimër ka borë, në verë temperaturat ndonjëherë shkojnë deri në 40 gradë. Por tri javë pushimi duke mos bërë asgjë tjetër, më mungon struktura dhe jeta e përditshme e Zvicrës. Ndihem më shumë se në shtëpi në Escholzmatt”, ka thënë ai.