SOT

Boksieri kampion nga Durrësi vjen në Prishtinë për stërvitje

Janë bërë disa ditë prej kur Prishtina u bë shtëpi e dytë për boksierin nga Durrësi, Graciano Shoshi.

Është vetëm 14-vjeçar, por numëron disa tituj si boksier kampion në Shqipëri. 

Bashkë me trajnerin e tij të boksit në klubin “Teuta” në Durrës, vendosën t’i shtonin ushtrimet për kondicion, të cilat Graciano po i kryen në Prishtinë kjo për shkak se një gjë e tillë tha se nuk ofrohet në Shqipëri.

“Boksin e nisa si 6-vjeçar me iniciativë nga babi im dhe hyra në klubin e boksit ‘Teuta’ në Durrës dhe u shpalla para dy vitesh si kampion i Shqipërisë në 2024-tën, pastaj edhe në vitin e kaluar si dhe boksieri më i mirë në Shqipëri dhe po këtë vit edhe medalist në evropian për grupmoshën U-15. Por duke ushtruar edhe për të tjera meqe, me trajnerin e pamë që kemi nevojë për stërvitje më shumë në aspektin fizik, prandaj erdha këtu në Prishtinë”, thotë ai.

Graciano thotë se shpesh boksierët shihen si të ashpër për shkak të llojit të sportit që e ushtrojnë. 

Por sipas tij, boksi te ta krijon qetësi aq sa i bën të duken krejt ndryshe nga paraqitjet në ring. 

“Boksi më ka qetësuar shumë dhe jo vetëm mua, por çdo sportist boksier a boksiere. Një boksier ose boksiere është shumëherë më e qetë dhe më i matur sesa çdokush tjetër, sepse forcën e përdorim vetëm në sport, asnjëherë jashtë tij, madje jemi shumë larg në jetë të përditshme për dallim nga ringu”, thotë Shoshi.

Rutina e ditëve të 14-vjeçarit është krejt e përqendruar në boks, në stërvitje dy herë në ditë, ushqim strikt e gjumë. 

Pavarësisht kohës së kufizuar për argëtim, ai sportet ua rekomandon të gjithë moshatarëve.

“Zgjohem herët në mëngjes, vij në stërvitje me trajnerin Albanin, shkoj në shtëpi pushoj pak, pastaj vij prapë në stërvitje. E gjithë dita ime është e tillë, regjim strikt, ushqim, gjumë dhe stërvitje, asnjë gjë tjetër. Është shumë e vështirë, por vet e kam zgjedhur këtë gjë prandaj duhet ta mbaj dhe t’i kapi majat. Me trajnerin Albanin kemi punuar shumë disomos për pjesën e balancit, sepse edhe pse i përdor në boks grushtet, këmbët janë në një rol shumë të rëndësishëm në këtë sport dhe do të vazhdojmë akoma, pasi që i kam edhe dy meqë të tjera me datën 21 e 28 dhjetor. Çdo të riu do i thosha që të merren me një lloj sporti, sepse çdo lloj ngarkese që ke e mund t’i shkarkosh plotësisht përmes sportit dhe kjo gjë i bën më së miri shëndetit”, deklaron ai. 

Durrsaku po ushtron me kosovarin Alban Dobroshi pavarësisht se boksi është sport i përqendruar në goditjet me duar, shpejtësia e lëvizjeve në këmbë, është kyçe sipas tij, të cilën synon ta zhvilloj te Graciano.

“Me Gracianon kemi filluar që një kohë stërvitjen, sepse te ky ka nevojë ndryshim i jashtëzakonshëm në pjesën e këmbëve, barkut dhe shpejtësia e frymëmarrja. Ajo që më duhet te Graciano është patjetër intensivisht të ushtroj dy herë në ditë, sepse nëse është aq i përkushtuar në dy herë në ditë ushtrime, atëherë mundemi më lehtë t’i aktivizojmë edhe lëvizjet në pjesën e këmbëve e mungesat e tjera që i ka ai”, thekson Dobroshi.

Graciano Shoshi nga Durrësi, kampion i Shqipërisë në boks, në dhjetor pret t’i zhvilloj dy meçe në Tiranë.