SOT

Kikbokiserja më e mirë në vend që po ndjek hapat e babait të ndjerë

Karrierën sportive e nisi si karateiste, por shumë shpejt kaloi në kikboks, e frymëzuar edhe nga babai i saj tashmë i ndjerë. 

Doneta Menxhiqi nga Vushtrria është sot një nga emrat më të dalluar të këtij sporti në Kosovë, duke mbajtur titullin e kikboksieres më të mirë në vend.

Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Doneta thotë se fitoren në duelet kombëtare dhe ndërkombëtare ua ka borxh përkushtimit të saj dhe stërvitjeve të përditshme, dy herë në ditë.

“Unë jam Doneta Menxhiqi, jam 20-vjeçare. Qysh e vogël kam filluar me sportin e karatesë fillimisht, pastaj kam kaluar në kikboks. Deri tani të gjitha ushtrimet po shkojnë mirë. Para luftës, babi im ka vazhduar të ushtroj me trajnerin tim si nxënës i parë i trajnerit. Pas disa vitesh u shndërrua në një traditë familjare dhe nisa të merresha me këtë sport luftarak”, thotë Menxhiqi.

Pavarësisht natyrës së ashpër që paraqet ky sport, Doneta thekson se ai ka ndikuar pozitivisht në mirëqenien e saj mendore. 

Megjithatë, Doneta pranon se një nga vështirësitë më të mëdha është mungesa e kohës me familjen. 
“E kam nis këtë sport edhe si mundësi për largimin e stresit dhe që ta kem një shëndet sa më të mirë dhe lirisht mund të them se për mua kikboksi është tashmë pjesë e jetës. Pavarësisht ndonjë lëndimi që mundem me marrë në gara, unë prapë vij këtu e ushtroj dhe nuk i ndahem këtij sporti.Rutina ime e ditës është bërë prej vitesh e njëjtë. Në mëngjes e kam vrapimin, në mesditë i kam ushtrimet fitness kikboks dhe në mbrëmje i kam ushtrimet e kikboksit. Si sport të vetmin problem që ma ka shkaktu është fakti që të largon pak nga familjarët përreth, por prapë është ndjenja më e mirë kur bën diçka për vendin tënd kur mundohesh me e ngritë shtetin në një nivel sa më të mirë”, deklaron Menxhiqi.

Ashtu si shumë sportistë të tjerë, edhe Doneta kërkon kushte më të mira për zhvillimin e sportit në Kosovë. Megjithatë, ajo thekson se, pavarësisht mungesës së infrastrukturës së duhur, sportistët e rinj kosovarë po arrijnë të shquhen në disiplinat që kanë zgjedhur.

Rrugëtimi i saj në kikboks nisi fuqishëm, që në duelin e parë Doneta u shpall kampione e Kosovës. 
“Ndeshja ime e parë si kikboksiere ka qenë në vitin 2021 në qytetin e Shtimes ku e kemi mbajtur Kampionatin e Kosovës e ku fatmirësisht u bëra kampione e Kosovës. Me meqin e dytë e kam përfaqësuar shtetin në Mal të Zi, aty ku e mora medaljen e bronztë. Kikboksierët duken pak agresiv në shikim të parë, por jo në atë masë që e mendojnë ata që nuk ushtrojnë. Ajo që më duhet ta theksoj është fakti që në Kosovë sportistët duhet të kenë kushte më të mira, por përkundër kësaj arritjet janë tejet të mira dhe ndoshta kjo vjen shkaku i dëshirës që Kosovën ta përfaqësojmë sa më denjësisht”, shton Menxhiqi.

Në duelin e saj më të fundit në Turqi, ajo triumfoi kundër një kundërshtareje të forte, pesë herë kampione bote.

“Kam pasur edhe duele me garues ndërkombëtare. Të fundit e kisha një duel në Turqi, ku u ndesha me njërën nga kundërshtaret më të forta, e cila është kampione e pesëfishtë e botës, por pavarësisht përvojës së saj, ja dola që ta mposhtë. Ndërkaq në Kosovë renditem në vendin e parë si sportistja më e dalluar në nivel të Kosovës për senior. Tash e katër vite jam edhe sportiste e vitit. Kjo bën që në garat ndërkombëtare shpesh janë garueset ato që hezitojnë të dalin në duele me mua”, thekson Menxhiqi.

Trajneri i saj, Lutfi Menxhiqi, i cili dikur ishte edhe trajner i babait të saj, e cilëson Donetën si një talent të jashtëzakonshëm.

“Babai i ndjerë i Donetës ka qenë edhe nxënës i imi dhe kështu duke e parë, andaj Doneta e ka trashëguar dashurinë për këtë sport luftarak. Të kalonte në kikboks ishte këmbëngulësia e saj, andaj përkushtimi i saj e ka bërë që të jetë aktualisht kikboksierja më e mirë në shtet qysh prej katër vitesh dhe është një kikboksiere që premton shumë në të ardhmen. Fati ynë i mirë si shtet është se dikur nuk na llogaritnin si garues, ndërsa tani trajnerët garuesve të huaj u thonë keni kujdes se keni me u ndesh me të Kosovës”, deklaron ai.

20-vjeçarja Doneta Menxhiqi e sheh të ardhmen e saj në këtë sport si vazhdim i një tradite familjare dhe me ambicie për të arritur edhe më shumë në arenën ndërkombëtare.