Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Donjeta e artë me “dy goditje” – mposht rusen që përfaqëson Serbinë

Donjeta Sadiku

Foto: Shpend Ahmeti/KOK

Donjeta Sadiku është fituese e medaljes së artë në Lojërat Mesdhetare.

Në finale të kategorisë deri në 60 kilogramë, boksierja kosovare e mposhti garuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova. 

Meçi përfundoi në raundin e dytë, kur Kuluhova u tërhoq për shkak të një lëndimi në arkadë. Arbitrat numëruan pikët deri në momentin e ndërprerjes dhe Donjeta fitoi 4:0. Katër prej arbitrave e vlerësuan boksieren kosovare fituese në të dy raundet. Ndërkohë njëri gjyqtar e vlerësoi luftën e barabartë deri në momentin e ndërprerjes. 

Për Kosovën kjo është medalja e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Dhe është e artë. Më e vlefshmja e mundshme.

Meçi me Kuluhovan kishte vlerë më të madhe se medalja, për shkak të vendit që e përfaqëson ajo. Kuluhova është nga Rusia, por e përfaqëson Serbinë, që vazhdon të kundërshtojë paraqitjen e sportistëve kosovarë në ngjarjet ndërkombëtare. Rrallë sportistët e Serbisë pranojnë të përballen me sportistët e Kosovës. Në Lojëra Mesdhetare në Taranto ishin disa përballje. 

Në ring, Donjeta shfaqi shumë më tepër, dha goditje të sakta dhe ishte duke udhëhequr bindshëm deri në momentin e ndërprerjes.

Boksierja kosovare në Lojëra Mesdhetare i ka shënuar tri fitore.

Në çerekfinale të kategorisë deri 60 kilogramë fitoi 4:1 ndaj turkes Esmanur Lok. Në gjysmëfinale, të mërkurën, fitoi bindshëm, 5:0 ndaj Sofia Legaki të Greqisë. Dhe bindëse ishte edhe të enjten në finale.
Boksierja e Serbisë, Kuluhova, nuk doli për të pranuar medaljen e argjendtë mesdhetare. Në podium ishin tri boksiere, Donjeta dhe fitueset e medaljeve të bronzta, por jo edhe Kuluhova.

Donjeta është shfaqur shumë krenarë gjatë intonimit të himnit të Kosovës. Ajo ka fituar medalje në ngjarjet më të mëdha të boksit, por medalja në Taranto do të jetë prej më të veçantave në karrierë.

Çka shkruan federata serbe për meçin Sadiku – Kuluhova

1 muaj më parë / 27 gus 2026 19:52
Sadiku - Kuluhova

Federata e Boksit e Serbisë ka bërë dy postime për finalen e kategorisë deri 60 kilogramë në Lojëra Mesdhetare.

Donjeta Sadiku fitoi ndaj Kristina Kuluhovas së Serbisë në finale.

Në asnjërin postim, federata serbe nuk e ka përmendur Donjetën. Fillimisht e ka paraqitur vetëm medaljen e argjendtë të Kuluhovas. 

Në një tekst më të gjatë, shkroi se “Kuluhova në luftë për të artën bëri rezistencë të fortë, por garën e përfundoi si nënkampione e Lojërave Mesdhetare”.

Nuk ka treguar se prej kujt është mposhtur.

Agjencia e lajmeve “Tanjug” ka shkruar po ashtu për Kuluhovan.

“Tanjug” ka shkruar se “Kuluhova në finale është mposhtur nga përfaqësuesja e të ashtuquajturës Kosovë, Donjeta Sadiku”.

“Sportal.rs” po ashtu nuk ka përmendur fare se prej kujt humbi rusja që garon për Serbinë.

Donjeta: Medalje për Kosovën

1 muaj më parë / 27 gus 2026 18:02
Donjeta Sadiku

Foto: Shpend Ahmeti/KOK

Donjeta Sadiku ia ka kushtuar gjithë Kosovës medaljen në Loëjrat Mesdhetare. Në finale, Donjeta e mposhti boksieren e Serbisë, Kristina Kuluhova.

“Ndeshja shkoi siç e kemi parashikuar. Isha super e përgatitur”, ka thënë Donjeta Sadiku për “Kosovapress”.

“Këtë medalje ia kushtoi gjithë Kosovës”, ka shtuar ajo.

Kurti për të artën e Donjetës: Lajm i jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare

1 muaj më parë / 27 gus 2026 17:48
Donjeta Sadiku

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Mariola Sallauka për medaljen e artë të fituar në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. 

Donjeta në finale të enjten mposhti boksieren ruse me shtetësi të Serbisë, Kristina Kuluhova. 

“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’.  Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë. Ajo ka triumfuar në finale ndaj ruses Kristina Kuluhova, e cila garoi për Serbinë. Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës.  Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!” – ka shkruar Kurti në Facebook.

E presidentja në detyrë Albulena Haxhiu po ashtu ka uruar Donjetën dhe trajneren e saj.  

"Donjeta e artë. Donjeta Sadiku ia doli. Në ringun e Tarantos, përballë Kristina Kuluhovës, ajo luftoi me vendosmëri deri në fund dhe e fitoi finalen. Medalja e artë shkon për Kosovën. Kjo është fitorja e Donjetës. E fitoi me punë, disiplinë dhe karakter. Në momentin vendimtar, ajo ishte më e fortë dhe më e qartë në ring. Pas këtij suksesi në Lojërat Mesdhetare bashkë me të është edhe trajnerja Mariola Sallauka. Ajo ka qenë pranë Donjetës në çdo stërvitje, në çdo vështirësi dhe në çdo hap të rrugës drejt këtij triumfi. Urime nga zemra Donjetës dhe Mariolës!" - ka shkruar Haxhiu. 

Boksierja e Serbisë nuk del në ceremoninë e medaljeve

1 muaj më parë / 27 gus 2026 17:40
Donjeta

Boksierja e Serbisë, Kristina Kuluhova nuk doli për të pranuar medaljen e argjendtë në Lojëra Mesdhetare.

Ajo u mposht nga Donjeta Sadiku në finale.

Në podium janë tri boksiere, por jo Kuluhova e Serbisë.