Anes Gjoshi është një talent premtues 13-vjeçar nga Prishtina, i cili po shkëlqen në fushën e futbollit.
Pasionin për këtë sport e nisi në moshën 7-vjeçare në shkollën e futbollit “Rilindja”, ndërsa aktualisht është pjesë e klubit “2 Korriku”, ku luan si mesfushor me tipare ofensive.
Ai stërvitet katër herë në javë, duke ndjekur me përkushtim ëndrrën për t’u bërë një futbollist i madh, ashtu si idhulli i tij, Cristiano Ronaldo.
Së fundi, Anesi është bërë pjesë edhe e ekipit kombëtar të Kosovës U-15 – një arritje e madhe për një djalosh të kësaj moshe.
“Talentin tim e ka zbuluar babai dhe trajneri i klubit “Rilindja”, Flamut Sinani. Të dy më kanë përkrahur gjithmonë. Për futboll më ka inspiruar lojtari Cristian Ronaldo. Më pëlqen shumë si lojtar dhe kam dëshirë të bëhem si ai. Kam dëshirë të jem pjesë e kombëtares dhe kam dëshirë të luaj edhe në klubin tim të preferuar Real Madrid. Kam dëshirë që moshatarët e mi të merren me futboll”, thotë Gjoshi.
Cilësitë që e veçojnë Anesin në fushë janë shpejtësia, pasimet precize dhe vendosmëria.
Në vitin 2022, ai u shpall lojtari më i mirë në një kamp futbolli në Zvicër, ndërsa një vit më vonë, në 2023, u kthye nga i njëjti kamp si kampion.
Në sezonin aktual, Anesi ndihmoi klubin “2 Korriku” të fitojë titullin kampion në një ndeshje derbi, ku goli i tij vendimtar vulosi fitoren.
“Aftësitë e mia në futboll janë shpejtësia, pasoj mirë etj. Në vitin 2022 kam qenë në një kamp në Zvicër, aty jam zgjedhur lojtari më i mirë. Edhe në vitin 2023 më kanë ftuar për të luajtur, ku jem zgjedhur kampion. Ndërsa në vitin 2025 në klubin 2 korriku, jem zgjedhur kampion të kësaj sezone. Kemi luajtur kundër ekipit “Kurda”, loja ka qenë derbi, foli im i vetëm solli fitore”, deklaron Gjoshi.
Mbështetja më e madhe për Anesin vjen nga babai i tij, Agron Gjoshi, i cili ka qenë vetë futbollist dhe e ndjek nga afër çdo hap të rrugëtimit të të birit në karrierën futbollistike.
“Kur e kanë pranuar në kombëtare nuk mundem me përshkruar ndjenjën dhe dëshirën që unë kam pasur. Ky është vetëm fillimi i karrierës së Anesit, është një e mirë që unë e përkrahu gjithmonë. Lutem që Anesi të mos ketë dhe shpresoj që ka me arrit atë që e donë. Jam shumë krenarë për Anesin. Anesi ka fat që unë e njoh futbollin, pasi kam qenë futbollist dhe disa gabime që unë i kam bërë nuk e toleroj te djali im. Mburremi për Anesin”, thekson Gjoshi.
Trajneri i tij, Art Rrustemi, e vlerëson lart kontributin e Anesit në suksesin e skuadrës gjatë sezonit.
“Klubi i gjeneratës 2010-2011 ka pasur arritje të mëdha. Me 18 ndeshje jem bërë kampion, 16 ndeshje i kem pasur me fitore ndërsa vetëm dy me humbje. Ka qene një sukses i mirë. Anesi ka qenë në një lojë vendimtare që e kem luajtur kundër “Kurdës”, me pune e angazhim ka dhënë golin e vetëm ku ka qenë vendimtarë që të bëhemi kampion të regjionit të ligës. Anesin e veçojnë aftësitë teknike siç janë pasimi, goditja dhe shpejtësia të cilat janë vendimtare për futbollin modern. Nëse vazhdon kështu mund ta ketë derën hapur të luaj në ndonjë ekip evropian në të ardhmen”, deklaron Rrustemi.
Me përkushtimin e tij në futboll, Anes Gjoshi po ecën me hapa të sigurt drejt ëndrrës për t’u bërë një yll i madh i futbollit.