Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Agim Ademi flet për vizitën e talentit të Bayernit te Kosova: Ata që vijnë me familje, kanë simpati për Kosovën

erblin osmani

Kampioni i Gjermanisë me Bayernin, Erblin Osmani, të dielën ndau medalje për futbollistët e rinj të ekipit kampion të rajonit të Gjilanit, Gjilani U17.

Të hënën vizitoi selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas takimit me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, talenti 17-vjeçar i Bayernit, i cili pranoi një fanellë të personalizuar të Kosovës me numrin dhjetë, ndoqi nga afër seancën stërvitore të Kosovës të udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda. 
Por a do luajë talenti i Bayernit në të ardhmen te Kosova?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk kemi hyrë në atë temë”, tha kryetari i FFK-së, Agim Ademi për KOHËN të hënën pasdite. 
“Ishte në selinë e FFK-së, në stërvitje të Kosovës, në hotel. Është kënaqur. Ai ka qenë edhe në Gjilan, ku ka ndarë medalje e kupa”.

Kosova së fundmi ka afruar shumë talente. A do të jetë Osmani talenti i radhës që do t’u bashkohet “Dardanëve”? 

“Është herët të flasim për këtë punë, është i ri”, thekson Agim Ademi, pa dashur të jap detaje.

Megjithatë, udhëheqësi i shtëpisë së futbollit kosovar ka lënë të kuptohet se disponimi i Osmanit pas vizitës në selinë e FFK-së dhe në stërvitje të Kosovës, ka qenë i mirë.

“Ata që vijnë këtu me familje, sigurisht që e kanë një dëshirë dhe simpati për Kosovën. Por nuk ka ende asgjë që kemi diskutuar rreth të ardhmes së tij”, është shprehur Agim Ademi.

FFK-ja më herët ka shfaqur interesim për talentin e Bayernit. Këtë e thotë edhe vetë Ademi.

“Kontaktet kanë qenë edhe në të kaluarën. Ne kemi kontakt me të gjithë talentet. Me secilin që është i nivelit reprezentativ, ne vëjmë kontakt”, është shprehur kryetari i FFK-së. 

Osmani, i lindur më 19 maj 2009 në Gjermani, ka debutuar për Bayernin. Më 21 mars në fitoren 4:0 ndaj Union Berlinit, Osmani luajti prej minutës së 87-të. Mesfushori i talentuar e zëvendësoi Leon Goretzkan në ndeshjen e Bundesligës.

Ai ka hyrë në librat e historisë si një prej lojtarëve kampionë të Bayernit. E ardhmja e tij vlerësohet e ndritur.

Mesfushori ka kontratë me gjigantin bavarez deri në verën e vitit 2027. Por ai pritet të mbetet edhe më gjatë pjesë e Bayernit.

Osmani me ekipin U17 të Bayernit edicionin e fundit i kishte 19 paraqitje, ndërsa ka realizuar gjashtë gola e shtatë asistime. Ka edhe dy paraqitje me ekipin U19, por është debutimi në Bundesligë që mbetet prej arritjeve më të mëdha deri më tani për mesfushorin.

Osmani zhvillohet te Bayerni që nga viti 2017. 

Osmani ka shënuar një gol në shtatë ndeshje për Gjermaninë U16, ndërsa ka edhe dy paraqitje për Gjermaninë U17.

“Tashmë Kosova është bërë opsion i parë për futbollistët cilësorë dhe talentet”, thotë Agim Ademi.

Ai vlerëson ardhjet e reja të Kosovës.

“Kemi krijuar një bërthamë të ekipit, që nuk është lehtë të zëvendësohen, por kemi shumë talente që po vërehen. Gradualisht po ndërrohet gjenerata, pa pësuar rënie. Futbollistë që i kemi në ligat më të forta evropiane, edhe këta talente, urojmë të bëjnë ndonjë kontratë të mirë profesionale. Është një e ardhme e mirë për neve. Dera e Kosovës gjithmonë do të jetë e hapur për gjithë talentet. Është po ashtu edhe dëshira e madhe që Kosovën ta dërgojmë sa më lart. Më gëzon fakti që prindërit i kanë rritur fëmijët në frymën tonë”, ka thënë Ademi. 

Në grumbullimin aktual, Kosovës për herë të parë iu bashkuan Valmir Matoshi, Rilind Nivokazi dhe Dardan Shabanhaxhaj. Matoshi e Nivokazi debutuan ndaj Çekisë në miqësoren e luajtur në Pragë të dielën. Shabanhaxhaj e pret rastin ndaj Andorrës.