Talenti 17-vjeçar i Bayernit, Erblin Osmani, ishte risia kryesore në listën e Kosovës për katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Përzgjedhësi Franco Foda e publikoi listën të premten, kur Osmani bëri një tjetër hap para në karrierë.
Mesfushori luajti për herë të parë për ekipin e dytë të Bayernit. Nuk tingëllon ndonjë hap gjigant, por megjithatë është i rëndësishëm.
Pasi debutoi në Bundesligë ndaj Union Berlinit më 21 mars të këtij viti, Osmani e vazhdoi zhvillimin te të rinjtë e Bayernit, përkatësisht tek ekipi U17. Më pas e pësoi edhe një lëndim.
Për Bundesligë u grumbullua vetëm për atë ndeshje në të cilën bëri debutimin. Edicionin aktual e nisi që në fillim të gushtit, tek ekipi U19 i Bayernit. Më 13 shtator i shënoi dy gola për Bayernin U19 në fitoren 3:1 ndaj TSV 1860 U19. Dhe të premten luajti 27 minuta për ekipin e dytë të Bayernit ndaj TSV Aubstadt. Ndeshja i takoi kategorisë së katërt gjermane.
“Pos fitores së dytë të edicionit në udhëtim, ekipi nga Mynihu ka festuar edhe debutimin e Erblin Osmanit me amatorët”, ka shkruar Bayerni në raportin nga kjo ndeshje.
Edhe
Gjermania të ketë kujdes: Drejtori i Akademisë së Bayernit e përmend Osmanin
Bayerni II fitoi 2:0.
Tashmë Osmani i ka tetë paraqitje garuese këtë edicion. Ka pesë ndeshje kampionale me ekipin U19 të Bayernit, një për Kupë me ekipin e njëjtë, një në “UEFA Youth League” dhe një në ligën regjionale me ekipin e dytë të Bayernit.
Osmani tani duhet të bashkohet me Kosovën dhe me shumë gjasë edhe të debutojë. Osmani, të cilin Bayerni e vlerëson talent të madh dhe tashmë e ka “blinduar” me kontratë afatgjatë, ka shtatë paraqitje me U16 të Gjermanisë dhe dy të tjera me U17.
Ai është në kampusin e Bayernit që nga viti 2017. Debutoi në Bundesligë me 16 vjet, 10 muaj e dy ditë. Vetëm dy lojtarë kanë debutuar në moshë më të re te Bayerni.
“Bild” ka shkruar se vendimi i Osmanit është “kundër federatës gjermane”.
“Talenti i Bayernit vendos kundër DFB-së”, është titulli i shkrimit të gazetës së madhe gjermane.
“Një tjetër goditje për DFB-në sa u përket talenteve të reja. Talenti i Bayernit, Erblin Osmani, ka vendosur të mos zgjedhë Gjermaninë për momentin. Mesfushori mori ftesnë e parë për Kombëtaren e Kosovës”, shkruan tutje “Bild”.
Ky medium ka përmendur edhe dy lojtarë të rinj që kanë vendosur për vende të tjera para Gjermanisë.
Edhe
“Bild” pyet nëse Gjermania do t’i bie pishman për Osmanin?
“Megjithatë dera për te DFB-ja nuk është ende plotësisht e mbyllur. Vetëm ftesa në Kombëtaren e Kosovës nuk e lidh përgjithmonë Osmanin me atë federatë. Faktori vendimtar do të jetë nëse ai do të aktivizohet dhe si do të aktivizohet në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare. Pasi të ketë luajtur katër ndeshje për këtë Kombëtare, ose të mbushë 21 vjet, ai do të konsiderohet i lidhur përfundimisht me të dhe nuk do të ketë më të drejtë të luajë për DFB-në”, ka shkruar “Bild”.
Kosova menjëherë të enjten luan ndaj Irlandës. Të dielën e ardhshme përballet në udhëtim me Austrinë. Më 1 tetor është ndeshja në Hungari ndaj Izraelit, ndërsa më 4 tetor është takimi Kosovë – Austri. Nëse Osmani eventualisht luan në të gjitha këto ndeshje, ai me shumë gjasë do ta zhvillojë gjithë karrierën ndërkombëtare te Kosova.