Këta të rinj nga shkolla e futbollit “Dy Korriku” si ëndërr kanë klubet e mëdha evropiane dhe përfaqësuesen e Kosovës.
Secili prej lojtarëve e ka idhullin e vet, por të gjithë i bashkon një dëshirë e madhe, të arrijnë karrierë të suksesshme në sportin e futbollit.
Talentin e futbollistëve po e vlerësojnë edhe trajnerë nga përfaqësuesja e Kosovës, ku disa prej tyre janë përzgjedhur dhe janë pjesë e kombëtares.
Çelësi i sukseseve për këta futbollistë janë stërvitjet intensive, 5 herë në javë.
Gent Stanovci është njëri nga ta. Ai që nga mosha 4-vjeçare ushtron futboll në “Dy Korrik”, është sulmues qendror dhe i takon ekipit U-15.
“Lojtari im i preferuar është Robert Lewandowski. Jemi në pozitën e njëjtë dhe e kemi gjakftohtësinë para golit. Unë kur të rritem kam dëshirë të jem në ekip të Milanit, kjo është ëndrra ime, po ashtu është të luaj me përfaqësuesen e Kosovës”, thekson Stanovci.
Edhe 13-vjeçari Anes Gjoshi, si mesfushor ofensiv, synon ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë, por edhe të luajë në futbollin ndërkombëtar.
“Korriku është klub i mirë, gjithashtu si ekip kemi pasur shumë suksese. Kemi një ekip të mirë. Trajnerët Art dhe Gent mundohen aq shumë për të na i mësuar teknikat e lojës së futbollit. Ne shumë shpejt kemi me i shpërblye me fitore. Kemi me ngritë klubin lart e ma lart. Për të qenë lojtarë të mirë duhet angazhim i madh në ushtime”, deklaron Gjoshi.
Nga ana tjetër, Rejan Rrustemi, mbrojtës i djathtë, ka dy ëndrra të mëdha, të luajë për Real Madridin, por edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
“Pozicioni im është mbrojtës i djathtë. Jam rritur me këtë pozitë. Unë kam dëshirë të luaj për Real Madridin, këtu jam për përfaqësuesen e Kosovës, dëshiroj të jem pjesë e saj gjithmonë”, thotë Rrustemi.
Art Haliti është vetëm 14-vjeçar dhe karakterizohet si lojtar i shpejtë.
Mbappe është lojtari i tij i preferuar.
“Unë karakterizohem si lojtar i shpejtë i ekipit, që kam qetësinë dhe tekniken e mirë. Lojtari i preferuar është Kylian Mbappe, sepse luaj si ai. Ekipi imi i preferuar është Real Madrid. E rëndësishme është të merremi me një sport e të përkushtohemi pas atij sporti”, deklaron Haliti.
Sipas drejtorit të shkollës “Dy Korriku”, Labinot Haziri, klubi po korr suksese të mëdha duke nisur nga gjeneratat e reja.
“Vitet e fundit kemi pasur rezultate më të mëdha me gjeneratën U 17, ku jemi shpallur 7 herë kampionë të Kosovës. Dy vitet e fundit jemi kampion të Kosovës U19, edhe marrim pjesë në gara ndërkombëtare. Lojtarët e rinj mundohemi t’i inkuadrojmë te grupi senior. Shumica e lojtarëve cilësorë që janë në klubin tonë e të cilët janë në U15 vazhdimisht testohen nga trajnerët e përfaqësueses së Kosovës. Edhe gjeneratat e tjera testohen për përfaqësuesen, por U15 në nunër janë më shumë”, thotë Haziri.
Ai thekson se pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, rruga për talentet e futbollit është bërë më e lehtë. Edhe interesimi i vajzave është në rritje.
“Pas pranimit në FIFA dhe UEFA, gjithçka është më e lehtë si transferimi i lojtarëve nga një klub në tjetrin dhe inkuadrimi në klube të futbollit jashtë Kosovës. Ne nuk u pengojmë aspak lojtarëve, ku ata dëshirojnë të luajnë në Kosovë apo jashtë vendit. Viteve të fundit u kemi dhënë hapësirë edhe vajzave në futboll. Kem arritë t’i bëjmë dy ekipe të vajzave U15-U17. Vajzat U17 kanë qenë kampione të Kosovës”, deklaron Haziri.
Shkollat e futbollit në Kosovë u ofrojnë mundësinë të rinjve që të zhvillohen dhe në të ardhmen të promovohen në arenën vendore dhe atë ndërkombëtare.