Talenti 17-vjeçar i Bayernit, Erblin Osmani, ka shënuar një gol në shtatë ndeshje për Gjermaninë U16, ndërsa ka edhe dy paraqitje për Gjermaninë U17.
Të kaluar te grupmoshat e Gjermanisë ka edhe talenti tjetër i Bayernit, Arijon Ibrahimoviq, aktualisht i huazuar tek Augsburgu. Yll Gashi po ashtu është pjesë e Bayernit, ndërsa ka shkëlqyer deri më tani te të rinjtë e Gjermanisë.
Tre futbollistët e talentuar shqiptarë me të kaluar te Gjermania, mund të jenë synim i madh i Kosovës.
Kosova tashmë ka shprehur interesimin për t’i pasur në radhët e saj.
Mesfushori Osmani së fundi është pajisur me pasaportë të Kosovës. Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, tha se Osmani ka zgjedhur Kosovën.
Megjithatë, zhvillime të reja kishte të martën rreth të ardhmes ndërkombëtare të Osmanit.
Gazeta e madhe gjermane “Bild” shkroi se e ardhmja ndërkombëtare e Osmanit nuk është vendosur ende përfundimisht.
“A dëshiron të luajë për atdheun e prindërve të tij, me rrugën më të lehtë drejt ekipit kombëtar të të rriturve, ku mund të bëhet shpejt një nga të preferuarit e tifozëve? Apo do t’i qëndrojë besnik Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe të vazhdojë të përpiqet të fitojë një vend në skuadrën e të rriturve nën drejtimin e trajnerit të ri Jurgen Klopp, nëpërmjet ekipeve kombëtare të të rinjve?”, shkroi “Bild”.

Shkrim për Osmanin bëri edhe sajti i njohur “transfermarkt.de”. Sipas “transfermarkt”, mesfushori tashmë është ftuar nga Kosova A për ndeshjet e këtij muaji me Irlandën e Austrinë në Ligën e Kombeve.
Deri më tani lojtari dhe menaxhmenti i tij nuk kanë komentuar për këtë çështje. Nuk është deklaruar as Federata e Futbollit e Kosovës.
Por nuk është sekret që FFK-ja tashmë synon Osmanin, Ibrahimoviqin e Gashin.
“Kontaktet kanë qenë edhe në të kaluarën. Ne kemi kontakt me të gjithë talentet. Me secilin që është i nivelit reprezentativ, ne vëjmë kontakt”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi për KOHËN më 1 qershor.

Pos me Osmanin, Ademi kishte zhvilluar takim edhe me Arijon Ibrahimoviqin, ndërsa selektori Franco Foda më herët kishte takuar Yll Gashin.
Për Ibrahimoviqin interesim ka shprehur edhe Shqipëria.
Një tjetër talent që po zhvillohet në Zvicër është kontaktuar së fundmi nga Kosova dhe Shqipëria.
Bëhet fjalë për Lutfi Dalipin e huazuar te Vaduzi nga Young Boys.
“Kosova ka kontaktuar Lutfi Dalipin, njëjtë si Shqipëria”, ka thënë një i afërm i Dalipit për KOHËN.
Babai i Dalipit është nga Presheva, ndërsa futbollisti nënën e ka nga Portugalia.
20-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka plot shtatë asistime.
Kosova së fundmi ka afruar shumë talente. Përpjekjet nuk ndalen për të afruar të tjerë.
