Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistet e Kosovës U19 fitojnë bindshëm ndaj Malit të Zi

Kosova U-19 futbolle

Pas barazimit pa gola të martën, futbollistet e Përfaqësueses U19 të Kosovës e kanë mposhtur bindshëm Malin e Zi me rezultatin 6:0, në miqësoren e dytë të luajtur në Kampin Nacional në Hajvali. Futbollistet e reja të përzgjedhësit Kushtrim Munishi, e kanë dominuar totalisht edhe pse në pjesën e dytë shënuan pesë gola. Golin e parë për “Dardanet” në këtë miqësore, e shënoi Flondra Behrami në minutën e dhjetë.

Golat tjerë, që erdhën në pjesën e dytë, i realizuan Elma Kadriu (59’), Albulena Guri (65’), Rreze Gashi (79’, 90’) dhe Aurona Racaj.

“Në lojën e parë na ka munguar efikasiteti. Edhe aty kemi dominuar por nuk kemi pas efikasitet. Këto dy ditë kemi punuar në aspektin psikik të futbollisteve që kur të ndodhen para portës të jenë më të qeta dhe kjo ka sjellë rezultat. Golat e sotëm kanë ardhur falë lojës së mirë të futbollisteve tona. Ato kanë zbatuar në përpikëri detyrat e parashtruara”, ka thënë përzgjedhësi Munishi për faqen zyrtare të FFK-së. Këto dy ndeshje miqësore i kanë shërbyer ekipit që të përgatitet sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2023 të muajit nëntor kundër Bullgarisë dhe Gjibraltarit, që do të zhvillohen në Prishtinë. Këto ndeshje i takojnë Grupit 5 të Ligës B.