Përfaqësuesja e Francës ka avancuar në gjysmëfinale të Eurobasketit, pasi në ndeshjen çerekfinale e eliminoi Italinë. Dueli i luajtur të mërkurën në Berlin, është mbyllur me rezultatin 93:85 në favor të Francës.
Në fakt, Francës i është nevojitur vazhdimi prej pesë minutave për ta mposhtur Italinë, pasi koha e rregullt e ndeshjes është mbyllur me rezultatin e barabartë 77:77. Në vazhdimin prej pesë minutave, Franca ishte më e mirë dhe arriti të fitojë me shifrat 16:8 për të avancuar tutje. Te Franca, më efikasi në këtë triumf ishte Thomas Heurtel me 20 pikë e tetë kërcime.
Rudy Gobert ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 19 pikëve e 14 kërcimeve, ndërsa në këtë fitore kontribuoi edhe Evan Fournier me 17 pikë të realizuara. Marco Spissu dhe Simone Fontecchio ishin më efikasit te Italia, pasi secili shënoi nga 21 pikë por që nuk arritën ta evitojnë humbjen dhe eliminimin nga Eurobasketi. Në gjysmëfinale, Franca e pret fituesin e ndeshjes tjetër çerekfinale ndërmjet Sllovenisë dhe Polonisë.