Klubet e mëdha të Premier Leagues, Manchester Unitedi, Tottenhami dhe Liverpooli, janë në shënjestër për t’u bërë me pronarë nga Katari.
Organizata “Qatar Sports Investments” po synon blerjen e njërit prej klubeve të mëdha për t’u futur fuqishëm edhe në futbollin anglez. Është raportuar se drejtuesit e këtij fondi tashmë kanë pasur bisedime fillestare me klubet dhe nuk përjashtohet mundësia që Unitedi, Tottenhami apo Liverpooli, të bëhen me pronarë nga Katari brenda këtij viti.
Nasser Al-Khelaifi, kryetar i “Qatar Sports Investments”, kohët e fundit ka pasur negociata me presidentin e Tottenhamit, Daniel Levy mbi një blerje të mundshme të aksioneve në klubin nga Londra.
“Presidenti i Tottenhamit tashmë është takuar me njërin prej drejtuesve të organizatës nga Katari dhe u diskutua për blerjen e aksioneve në klubin anglez. Gjithçka është e hapur për të ardhmen dhe nëse Levy jep ndonjë sinjal të shitjes, atëherë Katari nuk do të hezitojë për t’u futur në klub dhe në futbollin anglez”, thuhet në raportin e publikuar nga “Bloomberg”.
Sipas raportit, “Qatar Sports Investments” nuk është ndalur vetëm te skuadra e Tottenhamit. Ky fond po konsideron një blerje totale ose të një pjese të aksioneve edhe në klubet tjera të mëdha të Anglisë, Manchester United dhe Liverpool.
Pronarja e Manchester Unitedit, familja amerikane Glazer, është në kërkim të opsioneve për kampionin e shumëfishtë të Anglisë, përfshirë këtu një investim të ri apo një shitje totale. Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar muaj më parë, klubi nga “Old Traffordi” tha se familja Glazer është duke punuar me këshilltarët financiarë për procesin, i cili mund të çojë në një shitje të pjesshme të Manchester Unitedit ose investime duke përfshirë rinovimin e stadiumit dhe infrastrukturës.
Edhe kryetari i Liverpoolit, Tom Werner, tha në muajin nëntor se pronari i klubit të Premier League, “Fenway Sports Group”, ishte duke eksploruar një shitje eventuale të klubit nga “Anfield Road”.
Së shpejti organizata nga Katari pritet të kontaktojë edhe pronarët e Unitedit dhe Liverpoolit për të parë mundësinë e blerjes së tyre. Unitedi, Tottenhami e Liverpooli nuk kanë dhënë asnjë koment në lidhje me këtë çështje, duke insistuar se janë të fokusuar në përfundimin e edicionit aktual.
Fondi “Qatar Sports Investments” është pronar i klubit nga Franca, Paris Saint-Germain dhe ka aksione në skuadrën e Bragas nga Portugalia. Prejse është në pronësi të kompanisë nga Katari, PSG-ja është shndërruar në forcë dominuese në futbollin francez dhe po synon triumfin në Ligën e Kampionëve. Prej vitit 2011, kur u ble nga Katari, Parisi ka fituar 29 trofe në Francë, përfshirë këtu tetë trofe të kampionit në Ligue 1.
Në Angli, Manchester City prej vitit 2008 është në pronësi të kompanisë “Abu Dhabi United Group”, ndërsa Newcastle Unitedi prej vitit të shkuar është blerë nga fondi i investimeve publike i Arabisë Saudite.