Manchester Unitedi thuhet se zyrtarisht ka hapur bisedimet me investitorë nga Katari, pasi spekulimet intensifikohen mbi pronësinë e ardhshme të gjigantit të Premier Leagues përpara mbylljes së afatit për ofertat e të interesuarve për ta blerë klubin anglez.
Familja amerikane Glazer, e cila përfundoi marrjen e 20 herë kampionit të Anglisë në vitin 2005, njoftoi në nëntor të vitit të shkuar se ishin të hapur për një shitje ose investim. Kompania “Ineos” e miliarderit britanik, Jim Ratcliffe, iu bashkua zyrtarisht garës për të blerë klubin muajin e kaluar – i vetmi ofertues që ka deklaruar publikisht një interes deri më tani. Blerësit e mundshëm mendohet se kanë afat deri më datën 17 shkurt për të paraqitur ofertat. “Daily Mail” tha se një grup investitorësh privatë nga Katari duan ta blejnë Unitedin dhe bisedimet janë zhvilluar me hierarkinë e klubit, me besim se oferta e tyre do të ishte më e forta.
“The Guardian” raportoi se sundimtari i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, ishte i interesuar ta blinte Manchester Unitedin, vetëm disa javë pasi shteti i pasur nga Lindja e Mesme e organizoi Kampionatin Botëror. Por, emiri tashmë ka blerë kampionin e Francës, Paris Saint-Germainin, në vitin 2011 përmes kompanisë “Qatar Sports Investments (QSI)” – që do të thotë se blerja e plotë e Unitedit nuk do të lejohej sipas rregulloreve aktuale të UEFA-s. Shoqata e Shtypit të Britanisë tha se kompania “QSI” po konsideronte blerjen e një pakice aksionesh në United ose një klub tjetër të Premier Leagues.
Organizata është një degë e Autoritetit të Investimeve të Katarit (QIA), fondi sovran i pasurisë së vendit, i cili ka asete me vlerë qindra miliarda dollarë. Shefi ekzekutiv i QIA-s, Mansoor Al-Mahmoud, i tha gazetës “Bloomberg” muajin e kaluar: “Fondet sovrane të pasurisë po bëhen investitorë në disa prej klubeve dhe nuk do të habiteni nëse investojmë në këtë (fushë), por përsëri ne shkojmë në një proces themelor dhe të sigurohemi se nëse investojmë kjo është shumë komerciale për brezat tanë të ardhshëm”.
Organizata “Amnesty International” tha se interesi i Katarit në blerjen e Manchester Unitedit duhet të veprojë si një “thirrje zgjimi” për Premier Leaguen mbi rregullat e pronësisë së saj.
Edhe
Fondi i Katarit synon blerjen e klubeve të mëdha angleze
“Duke ardhur në vazhdën e Kupës së Botës dhe përpjekjeve të forta nga Qeveria e Katarit për të krijuar një imazh të ri të shkëlqyeshëm për vendin, duket shumë e mundshme që çdo ofertë e Katarit për Manchester Unitedin do të ishte një vazhdimësi e këtij projekti të larjes sportive të mbështetur nga shteti”, tha Peter Frankental, drejtori i çështjeve ekonomike të organizatës. “Ne nuk jemi domosdoshmërisht kundër përfshirjes së konsorciumeve financiare jashtë shtetit të lidhura me shtetin në futbollin anglez, por Premier League duhet urgjentisht t’i forcojë rregullat e pronësisë për të siguruar që ato janë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe jo një mundësi për më shumë larje të parave në sport”.
Në fakt, tashmë dy skuadra të Premier Leagues janë nën pronësi të investitorëve nga Lindja e Mesme. Kampioni në fuqi, Manchester City, është blerë nga “Abu Dhabi United Group” për t’u shndërruar në fuqi të futbollit anglez, ndonëse së fundmi është akuzuar nga Premier League për mashtrim financiar. Vitin e shkuar edhe Newcastle Unitedi u ble nga fondi i investimeve publike të Arabisë Saudite. Familja Glazers që aspak nuk e ka përkrahjen, e ka ngarkuar Manchester Unitedin me borxhe të mëdha dhe zemëruan më tej tifozët duke mbështetur projektin e dështuar të Superligës Evropiane në vitin 2021. Klubi nuk e ka fituar titullin e kampionit në Premier League që nga viti 2013 dhe nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe që nga viti 2017. Aktualisht, Unitedi është i treti në Premier League këtë sezon pas një përmirësimi të formës nën trajnerin e ri, Erik ten Hag, i cili e mori drejtimin e klubit para fillimit të sezonit aktual.