Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pronarët e Manchesterit ndërrojnë mendjen, shtyjnë shitjen e klubit të madh anglez

Planet për shitjen e Manchester Unitedit mund të shtyhen deri në maj, me pronarët aktualë, familja Glazers nga SHBA-ja, që thuhet se po kërkon një ofertë më të mirë, përcjellë “Daily Mail” të mërkurën. Gjatë kësaj jave u raportua se familja Glazers kërkon një ofertë prej të paktën 6 miliardë funtesh, pasi ofertat fillestare nga Sheiku i Katarit, Jassim Bin Hamad Al Thani, dhe miliarderi britanik, Jim Ratcliffe, nuk kanë shkuar mbi 4.5 miliardë. Megjithatë, mësohet se shitja e klubit mund të shtyhet deri në maj apo të anulohet tërësisht pas triumfit të Unitedit të dielën e shkuar në Kupën e Ligës. Ky ishte trofeu i parë për ekipin anglez prej vitit 2017. Në një raport tjetër, thuhet se ka pavendosmëri mes gjashtë vëllezërve dhe motrave Glazer sepse secili kishte pikëpamjen e vet për çdo blerje, por se shitja mbeti “nën konsideratë serioze nga familja në tërësi”.

Sheiku Jassim, i arsimuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë në Sandhurst, pretendon se është një tifoz prej kohësh i Unitedit. Ai ishte i pari që paraqiti një ofertë deri në afatin e 17 shkurtit dhe ka premtuar një blerje “plotësisht pa borxhe” të klubit. Ndërkohë, Ratcliffe, i cili ka lindur në zonën e Manchesterit, është një nga individët më të pasur të Britanisë, me një vlerë neto të vlerësuar prej 12.5 miliardë funtesh pas suksesit të “INEOS”, kompanisë së tij kimike globale. Ai dëshiron të zgjerojë një portofol sportiv që tashmë përfshin klubin francez të futbollit Nice dhe ekipin zviceran FC Lausanne-Sport, si dhe ekipin e çiklizmit Ineos Grenadiers, dikur Team Sky.

Një çmim prej rreth 6 miliardë funtesh do të thyente tarifën rekord për një klub futbolli të vendosur kur një konsorcium i udhëhequr nga bashkëpronar i LA Dodgers, Todd Boehly, dhe firma e kapitalit privat “Clearlake Capital” bleu Chelsean vitin e kaluar. Manchester Unitedi, një nga klubet më të suksesshme në historinë e futbollit anglez, ka luftuar për të mbajtur ritmin me rivalin e madh të qytetit, Manchester Cityn, që nga pensionimi i trajnerit legjendar Alex Ferguson në 2013. Por nën trajnerin aktual, holandezin Erik ten Hag, Unitedi duket se është në rritje, pasi i dha fund pritjes së gjatë për trofe duke e mposhtur Newcastlen 2:0 në finalen e Kupës së Ligës në stadiumin “Wembley”. Klubi gjithashtu zë vendin e tretë në Premier League, si dhe mposhti Barcelonën javën e kaluar për t’u kualifikuar në 1/8 e finales të Ligës së Evropës. Russ Mould, drejtor investimesh në agjencinë e aksioneve me seli në Manchester “AJ Bell”, tha se me perspektivat e Unitedit në fushë duke u rritur, familja Glazers mund të mendojnë dy herë për ta hequr kontrollin e plotë të klubit.

“Spekulimet janë rritur se nëse revolucioni i Erik ten Hagun, i cili ka parë Manchester Unitedin të përmirësohet dukshëm dhe ta fitojë trofeun e parë që nga viti 2017 po vazhdon, atëherë familja mund të mos jetë e gatshme ta shesë klubin”, shtoi Mold.

Nëse familjes Glazers vendos të qëndrojnë me të gjitha ose një pjesë të aksioneve të klubit, do të urrehej edhe më shumë nga tifozët e Manchester Unitedit, të cilët shpesh kanë protestuar kundër pronarëve amerikanë, të cilët ata i akuzojnë se kanë marrë para nga klubi gjatë këtyre vjetëve që e kanë në pronësi. Prej vitit 2005 familja amerikane është pronare e klubit të madh nga Anglia.