Tifozët e Manchester Unitedit i kanë kërkuar çdo pronari të ri të mundshëm që të mbështesë trajnerin Erik ten Hag, ndërsa klubi përgatitet për një javë të rëndësishme të bisedimeve për blerje.
Unitedi ka një shans për t'i dhënë fund pritjes gjashtëvjeçare për trofe kur do të luajë në finalen e Kupës së Ligës ndaj Newcastle Unitedit të dielën, tri ditë pas përballjes me Barcelonën në ndeshjen e kthimit të plejofit të Ligës së Evropës. Trajneri holandez Ten Hag ka transformuar Unitedin në muajt e tij të parë në “Old Trafford”, pas një fillimi të vështirë, madje duke e afruar skuadrën në garën për titullin e kampionit në Premier League. Jashtë fushës gara për pronarët e rinj të Manchester Unitedit po nxehet. Bankieri i Katarit, Sheikh Jassim bin Hamad Al Thani, dhe kompania “INEOS” e miliarderit britanik Jim Ratcliffe dorëzuan ofertat.
“The Times” raportoi në fundjavë se gjiganti amerikan i fondeve mbrojtëse “Elliott” kishte hyrë gjithashtu në garë, duke përjashtuar veten nga një blerje e plotë, por duke ofruar financim. Thashethemet vazhdojnë gjithashtu për një ofertë të mundshme të Arabisë Saudite.
Grupi i tifozëve të Manchester Unitedit (MUST) insistoi se kushdo që blen klubin duhet “të angazhohet për të mbështetur Erikun dhe planet e tij për të rikthyer lavdinë e Unitedit” pas 18 vjetësh me pronaren e papëlqyer amerikane, familjen Glazers.
Unitedi nuk e ka fituar titullin në Premier League për një dekadë dhe ka dështuar të kualifikohet në Ligën e Kampionëve në disa raste.
“Të gjithë mund të shohin përparimin që ekipi po bën nën drejtimin e Erik ten Hagut”, u tha në deklaratën e lëshuar nga MUST-i. “Pas zhgënjimeve të dekadës së fundit, është e qartë se po bëhen hapa të mëdhenj”.
Kjo ndjenjë u mbështet nga ish-kapiteni i Unitedit, Gary Neville, i cili tha se ish-trajneri i Ajaxit po bën një punë fantastike dhe nën drejtimin e tij mund të kthehen momentet e lavdisë së klubit.
“Ky menaxher, ky trajner, e meriton periudhën e tij kohore”, tha Neville. “Ky trajner ka nevojë për mbështetje për disa vjet. Tre vjet më duket se është koha minimale që do t'i jepja Erik ten Hagut për shkak të asaj që ka bërë tashmë. Ai duket si një trajner i vërtetë”.
Neville tha se tifozët ishin të vendosur për të parë fundin e pronësisë jopopullore të Unitedit nga familja Glazers, që e ngarkoi klubin me borxhe të mëdha.
“Theksi absolut në këtë moment nga të gjithë tifozët e Manchester Unitedit është se ky duhet të jetë fundi i pronësisë së Glazer”, shtoi ai. “Atyre u kanë mbaruar paratë, nuk kanë investuar në stadium dhe kanë dështuar në projektin sportiv në 10 vjetët e fundit që nga largimi i Sir Alex Fergusonit”.
Ish-reprezentuesi anglez tha se sondazhi i tij zbuloi se tifozët, të përkushtuar për një klub pa borxhe, ishin në favor të ofertës së Katarit. Neville beson në çështjen e pronësisë shtetërore të klubeve pas investimit të Abu Dabit në Manchester City dhe blerjes së Newcastle Unitedit nga Arabia Saudite.
Por MUST theksoi në deklaratë “rëndësinë që çdo pronar të respektojë të drejtat e të gjithë njerëzve”, veçanërisht grave dhe komunitetit LGBTQ, mes shqetësimeve për të drejtat e njeriut në Katar dhe Arabinë Saudite. Ringjallja dramatike e Unitedit nën drejtimin e Ten Hag e ka ngritur ekipin në pozitën e tretë në tabelë, me vetëm pesë pikë prapa Arsenalit që është lider. “Djajtë e Kuq” do të futen në ndeshjen e dytë të plejofit të së enjtes kundër Barcelonës me rezultatin 2:2, me fituesin që siguron një vend në 1/8 e finales të Ligës së Evropës.
Unitedi më pas do ta kthejë vëmendjen te stadiumi “Wembley”, me Newcastlen që do t'i qëndrojë në rrugë teksa kërkon ta fitojë trofeun e parë që nga viti 2017. Ten Hag insistoi se po përpiqet të injorojë shpërqendrimet jashtë fushës për të bërë të pamundurën për të rikthyer klubin në lavdinë e mëparshme.
“I falënderoj tifozët që e kanë atë besim tek unë”, tha ai. “Ndihem i përkushtuar me këtë klub dhe më pëlqen të jem këtu. Por, nuk është gjithçka në ndikimin tim. Ajo që unë mund të ndikoj është performanca e këtij ekipi dhe do të jap gjithçka për të performuar sa më mirë që të jetë e mundur”.