Erik ten Hag insistoi se Manchester Unitedi duhet të përpiqet për më shumë suksese edhe pse skuadra e tij duket e vendosur të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.
Unitedi ka nevojë për vetëm një pikë nga dy ndeshjet e fundit të Premier Leagues, që i luan kundër Chelseat dhe Fulhamit, për të siguruar një vend në top-katërshe pas një edicioni jashtë garës elitare të Evropës në nivel klubesh. Unitedi të enjten mbrëma e pret skuadrën e Chelseat në stadiumin “Old Trafford”, përpara se ta mbyllë edicionin kundër Fulhamit, sërish në shtëpi.
Trajneri Ten Hag i dha fund pritjes gjashtëvjeçare të klubit për një trofe në edicionin e tij të parë në krye, duke triumfuar në Kupën e Ligës në muajit shkurt. Holandezi mund ta mbyllë edicionin debutues në Angli me dy trofe, pasi Unitedi do të përballet me rivalin lokal, Manchester City, në finalen e Kupës FA në muajin tjetër.
Mirëpo, Ten Hag këmbënguli të mërkurën se objektivat e “Djajve të Kuq” duhet të jenë edhe më të larta edicionin e ardhshëm.
“Ne jemi në një projekt, duam të kthehemi edhe më fuqishëm dhe të fitojmë trofe”, u shpreh Ten Hag. “E kemi fituar një trofe, por duam më shumë trofe për të garuar me më të mirët. Jemi ende në një rrugëtim. Mendojmë se jemi në drejtimin e duhur por gjithmonë mund të jetë më mirë. Duhet të përpiqemi që të synojmë suksese më të mëdha dhe këtë duhet ta dëshmojmë edicionin e ardhshëm”.
Edhe
Ten Hag: Tifozët po vazhdojnë të na përkrahin
Ten Hag pret që klubi të bëjë përforcime në afatin kalimtar të verës për ta forcuar edhe më shumë ekipin e tij për edicionin e ri. Njëri prej emrave që ditët e fundit ka dalë në skenë se mund t’i bashkohet Unitedit është sulmuesi i Brazilit, Neymar. Braziliani pritet të largohet nga Paris Saint-Germaini dhe Unitedi është klubi që ka shprehur më së shumti interesim për shërbimet e tij. Ten Hag ka pranuar se tashmë po monitorojnë disa lojtarë, por kur është pyetur për Neymarin nuk e ka mohuar por as pohuar interesimin.
“Kur do ta kemi lajmin do t’ua kumtojmë të gjithëve”, tha shkurt Ten Hag në pyetjen për Neymarin.
Trajneri ka pranuar se do ketë edhe largime. Mediumet angleze kanë shkruar se klubi tashmë ka përfshirë në listën e largimeve lojtarët si: Harry Maguire, Anthony Martial, Diogo Dalot, Aaron Wan-Bissaka, Fred, Scott McTominay, Donny van de Beel, Anthony Elanga e Brandon Williams.
“Sigurisht që do të ketë edhe largime pasi duhet të lirojmë vendin për lojtarët që synojmë t’i transferojmë. Megjithatë, para se të mendojmë për këtë çështje jemi të fokusuar për ta siguruar pjesëmarrjen në Champions në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Ten Hag.
Edhe
“A mendoni se kjo ishte ndeshja juaj e fundit?”, përgjigjet Ten Hag
Ekipi i Ten Hagut ka qenë tepër i varur nga sulmuesi Marcus Rashford këtë edicion. Anglezi ka shënuar 29 gola në të gjitha garat deri më tani, me Bruno Fernandesin që ka 11 gola.
Manchester Unitedi zë vendin e katërt me 69 pikë të mbledhura, një më pak se Newcastle Unitedi që është i treti, por ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Ndërkohë, Liverpooli renditet i pesti më 66 pikë dhe edicionin tjetër do të paraqitet në garat e Ligës së Evropës.