Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ten Hag më në fund e ka në dispozicion ekipin më të fortë të Unitedit

Erik ten Hag beson se më në fund është në gjendje për të zgjedhur ekipin më të fortë të Manchester Unitedit kundër Wolverhamptonit të enjten, pasi disa yje i rikthehen nga lëndimi. Unitedi i kthehet Premier Leagues me ndeshjen në udhëtim te Wolvesi, ndërsa do të jetë i motivuar me kthimin e Casemiros, Lisandro Martinezit dhe Luke Shawit, të cilët u aktivizuan të dielën në kuadër të Kupës FA kundër Newportit.

Të prekur nga lëndimet, kjo ishte hera e parë që këta tre futbollistë startuan së bashku që nga ndeshja e dytë e këtij edicioni ndaj Tottenhamit, të luajtur në muajin gusht.

Harry Maguire gjithashtu u inkuadrua në pjesën e dytë ndaj Newportit, të cilin Unitedi e fitoi me shifrat 4:2. Për qendërmbrojtësin e Anglisë kjo ishte paraqitja e parë që nga dhjetori. Maguire po ashtu është rikuperuar nga lëndimi. Edhe portieri i Kamerunit, Andre Onana do të jetë i gatshëm ndaj Wolvesit, pasi tashmë është kthyer nga Kupa e Afrikës.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse sulmuesi Marcus Rashford do të inkuadrohet, pasi mungoi ndaj Newportit. Rashford të premten e shkuar kishte njoftuar klubin se është i sëmurë, edhe pse në mbrëmje ishte dëfryer në një klub nate, gjë që aspak nuk i ka pëlqyer trajnerit Ten Hag. Madje, holandezi ka thënë se personalisht do të merret me këtë çështje, të cilën e ka vlerësuar si një “situatë të brendshme”.

“Mendoj se potencialisht mund ta kem në dispozicion ekipin më të fortë ndaj Wolverhamptonit. Ndoshta do të jetë hera e parë si trajner i Manchesterit që mund të përzgjedh futbollistët më të mirë për një ndeshje dhe kjo më bën shumë të lumtur”, është shprehur Ten Hag. “Shpresoj që deri në fund të edicionit të luaj me këtë ekip, pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat tona”.

Aktualisht Unitedi është në pozitën e tetë në Premier League, ndërsa është eliminuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Për Ten Hagun, i cili është në presion për rezultate pozitive, kthimi i yjeve në ekip është një gjë shumë e rëndësishme.

Edhe Ten Hag thotë se Unitedit i është kthyer besimi Sport Ten Hag thotë se Unitedit i është kthyer besimi

“Besoj se është tejet e rëndësishme të jemi të kompletuar. Tani, ata duhet ta marrin veten nga ndeshja në ndeshje për të dëshmuar se janë 100 për qind gati. Dueli me Wolvesin do të na ndihmojë shumë, ndonëse patjetër që na duhet të marrim fitore edhe pse nuk do të jetë lehtë”, ka shtuar Ten Hag. “Besoj se do të jemi gati për këtë ndeshje, me të cilën edhe do të paralajmërojmë se jemi gati për një përmbyllje të fortë të edicionit”.

Pas formës së dobët këtë edicion, mesfushori Bruno Fernandes duket se është rikthyer pasi shënoi gol ndaj Newportit. Ai u asistua nga Antony. Për Fernandesin ishte goli i parë pas 31 ndeshjeve. Portugezi për herë të fundit kishte shënuar gol për Unitedin në fund të muajit prill të vitit të shkuar. Po ashtu, Ten Hag shpreson që edhe Antony më në fund të gjejë formën e tij.

“Antony dha asistim, kurse Bruno shënoi gol. Shpresoj që kjo do të reflektoj në kthimin e formës së tyre, pasi kemi nevojë që ata të luajnë mirë”, u shpreh Ten Hag.