Sport

Ten Hag përballet me testin përfundimtar ndaj Cityt

Erik Ten Hag

Provimet e fundvitit nuk janë shumë më të vështira se ai me të cilin përballen Erik ten Hag dhe Manchester Unitedi. Trajneri holandez u punësua për t’ia kthyer lavdinë klubit të famshëm anglez, pas një dekade në rënie. Kundër Manchester Cityt në finalen e Kupës FA, Ten Hag do të ketë mundësinë të tregojë se sa larg ka arritur Unitedi në edicionin e tij të parë në krye të ekipit. Ndërsa një ndeshje e vetme nuk mund të gjykojë një edicion të tërë, emocionet e tifozëve të Unitedit do të jenë të forta në varësi të rezultatit.

Një fitore më 3 qershor jo vetëm që do të siguronte një trofe të dytë për Ten Hagun - pas Kupës së Ligës - por gjithashtu do të shërbente si një sinjal i fortë se ai po ndërton një ekip të gatshëm për ta sfiduar Cityn për titull prej kampionatit të ardhshëm. Humbja nuk do ta ndryshonte domosdoshmërisht këtë, por do të ishte konfirmim i dhimbshëm i dominimit të vazhdueshëm të trajnerit Pep Guardiola në futbollin anglez.

Megjithatë, ky nuk do të jetë mision i lehtë për Unitedin, duke pasur parasysh se City mund ta mbyllë sezonin me tripletë – Kupën FA, Premier Leaguen dhe Ligën e Kampionëve. Unitedi mbetet skuadra e vetme angleze që ka fituar ata tre trofe të mëdhenj në një sezon, në vitin 1999. Mundësia për të bllokuar drejtpërdrejt përpjekjen e Cityt për të përsëritur atë arritje ka të ngjarë të jetë një nxitje shtesë për Unitedin.

“Unë i kuptoj, sigurisht, ndjenjat e tifozëve të ekipit tonë për këtë”, tha Ten Hag.

United të dielën mundi Brighton 7:6 me penallti pasi ndeshja gjysmëfinale e Kupës FA në “Wembley” përfundoi 0:0 edhe pas vazhdimeve. Të shtunën, City pati një punë të lehtë ndaj Sheffield Unitedit, që e mposhti 3:0 për të avancuar në finale. Kjo do të jetë hera e parë që rivalët e qytetit të Manchesterit do të takohen në finalen e Kupës FA. Por ka paralele për t’u tërhequr me ndeshjen gjysmëfinale në të njëjtën garë në vitin 2011. Atëbotë, City e kishte mposhtur Unitedin 1:0 me golin e Yaya Toures, përpara se ta mposhtte në finale Stoke Cityn me rezultatin identik dhe golin e vetëm të shënuar sërish nga mesfushori i Bregut të Fildishtë. City ka dominuar që atëherë dhe ka fituar 13 trofe të tjerë, duke përfshirë gjashtë tituj të Premier Leagues. Unitedi, ndërkohë, ka pësuar rënie pasi Alex Ferguson u tërhoq në vitin 2013 dhe kaloi në duart e katër trajnerëve të ndryshëm përpara se të punësonte Ten Hagun vitin e kaluar. Ndërsa ish-trajneri i Ajaxit ka pasur vështirësitë e tij në sezonin e parë në “Old Trafford”, Ten Hag ka ngjallur shpresën se kohët e mira pritet të rikthehen për Unitedin. Unitedi është në rrugën e duhur për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe gjithashtu në garë për të fituar një trofe të dytë.

“Ne jemi në rrugën e duhur. Një trofe, një tjetër finale dhe jemi në luftë për vendin e katërt”, tha portieri David de Gea. “Nuk është e mjaftueshme, por është një hap i madh nga sezoni i kaluar”.

Pasi humbi 6:3 nga City në derbin e parë në tetor, Ten Hag e fitoi ndeshjen e dytë në janar 2:1.

“Jemi në momentet vendimtare dhe nuk ka rëndësi nëse luajmë çdo tri ditë. Rëndësi ka të fitojmë secilën ndeshje”, paralajmëroi Pep Guardiola.

Ndërsa Guardiola ka grumbulluar ndoshta lojtarët më të fortë në futbollin e klubeve – përfshirë sulmuesin Erling Haaland që ka shënuar 48 gola deri më tani – Ten Hag është ende në procesin e ndërtimit të një ekipi sipas pikëpamjes së tij. Fitoi ose humbi, progresi është bërë pa dyshim me Ten Hagun, edhe nëse epërsia prej 11 pikësh e Cityt ndaj Unitedit është dëshmi e hendekut midis rivalëve. Sidoqoftë, fitorja në finale do të ishte një “deklaratë simbolike”, që mund të sugjerojë se gjërat në futbollin anglez mund të ndryshojnë përsëri.