Futboll

Finalja e Championsit vë në qendër lidhjet e Al-Khelaifit me PSG-në, UEFA-n, “beIN” dhe Katarin

Nasser Al-Khelaifi

Finalja e Ligës së Kampionëve do të jetë e ngjeshur sidomos për Nasser Al-Khelaifin, që është ndoshta zyrtari me më së shumti detyra në futbollin botëror.

Si president i Paris Saint-Germainit, klub që është në pronësi të Katarit nga viti 2011, qëllimi kryesor i Al-Khelaifit do të jetë që ekipi francez të bëhet kampion i Evropës. Në finale, të shtunën prej orës 21:00 në Munih, PSG-ja luan me Interin.

Si kryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane, ai drejton 700 ekipe anëtare që marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi nga UEFA për t’i dhënë formë vendimeve sportive dhe komerciale për Ligën e Kampionëve. Shoqata vlerësohet me ndikim të madh, ndërsa si kryetar i saj, Al-Khelaifi është edhe anëtar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

Si udhëheqës i transmetuesit nga Katari, “beIn Media Group”, Al-Khelaifi kontrollon të drejtat ekskluzive të Ligës së Kampionëve për të transmetuar finalen në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe pjesën më të madhe të Azisë Juglindore.

“Naser Al-Khelaifi konsiderohet lider vizionar në industrinë e medias”, shkruan “beIN”, duke shtuar se në vitin 2016 ai bleu studion e filmave në Hollywood, Miramax.

Ai është edhe ministër në qeverinë e Katarit, drejtor i fondit të saj sovran të pasurisë, të njohur si “Qatar Investment Authority” dhe po ashtu kryetar i “Qatar Sports Investments”, që zotëron PSG-në.

Fondi i Katarit dhe Al-Khelaifi, ish-tenist profesionist, janë kyç në sportin që po rritet hovshëm, padelit, i cili ka ambicie të jetë sport olimpik.

E shtuna mund të jetë kulmi i karrierës 14-vjeçare të Al-Khelaifit në futbollin ndërkombëtar. Pavarësisht hetimeve të vazhdueshme nga autoritetet franceze, karriera e deritashme e Al-Khelaifit ka nxitur diskutime se ai mund të jetë president i ardhshëm i FIFA-s.

51-vjeçari Al-Khelaifi ishte tenist profesionist, që luajti për Katarin në Kupën Davis. Kjo e solli në kontakt me Emirin e ardhshëm, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Karriera e tij modeste në tenist përfundoi në vitin 2003, kur ai u bashkua me kompaninë e re, Al Jazeera Sport, si drejtor i blerjes së të drejtave.

Katari tronditi futbollin në vitin 2010 kur FIFA i dha të drejtat e organizimit të Kupës së Botës 2022. PSG-ja u ble disa muaj më pas.

Në Francë, Al-Khelaifi jo gjithnjë është popullor. Kundërshtarët i ka të shumtë e të zhurmshëm. Ai po ashtu është përballur me disa raste gjyqësore, ndërsa ka pasur edhe dyshime për konflikt interesi në UEFA për shkak të angazhimit të tij në fusha të ndryshme. Por Al-Khelaifi asnjëherë nuk është shpallur fajtor dhe tashmë është prej figurave më me ndikim në futbollin botëror.