Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja konfirmon se sezonin e ardhshëm do të paraqiten 4 ekipe në garat evropiane

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se në edicionin e ardhshëm 2022/2023 do të marrin pjesë katër ekipe në garat evropiane.

Në FFK kanë bërë të ditur se të drejtën e garës do ta kenë kampioni, nënkampioni, vendi i tretë dhe fituesi i Kupës.

“Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë. Jemi angazhuar shumë për këtë çështje, duke bërë kërkesa të vazhdueshme në UEFA, sepse jemi federata më e re e pranuar në FIFA dhe UEFA, por jo vetëm për këtë. Në këtë rast përveç punës tonë që e kemi bërë, i falënderoj shumë edhe organet e UEFA-s që na mirëkuptuan, por më së shumti i falënderoj klubet të cilat këtë vit kanë performuar dhe po performojnë jashtëzakonisht mirë, pasi që koeficienti fitohet nga performanca e tyre. I uroj klubet e Superligës, të cilat sigurisht se do ta mirëpresin këtë lajm pasi që shkuarja e më shumë ekipeve në Evropë nënkupton edhe rritje të ekonomisë në Kosovë, më shumë kualitet në futboll dhe organizim më të mirë të klubeve po ashtu”, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi për faqen zyrtare të federatës.