Prej edicionit të ardhshëm 2021\2022 do të zhvillohen tri gara kontinentale për skuadrat e futbollit. Pas më shumë se 20 vjetësh, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka vendosur që skuadrat të garojnë në tri liga të ndryshme. Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës i është shtuar edhe Liga e Konferencës, që është niveli i tretë.
Por shtimi i një lige nuk nënkupton më shumë skuadra në gara evropiane. Të paktën numri i skuadrave nga shumë vende nuk është rritur. Nuk është rritur as numri i skuadrave nga Kosova që do të garojnë në Evropë, ndonëse kjo ishte shpresuar nga drejtues të futbollit kosovarë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë edicionin aktual 2020/2021, në kupa evropiane garuan tri skuadra. Drita si kampione startoi në Ligën e Kampionëve dhe pas eliminimit vazhdoi në Ligën e Evropës. Ndërkohë Prishtina si fituese e Kupës dhe Gjilani si nënkampion ishin në Ligën e Evropës. Të gjitha skuadrat patën telashe me COVID-19.
Edicionin e ardhshëm, sipas disa publikimeve të fundit të UEFA-s, Kosovën në gara evropiane prapë do ta përfaqësojnë tri skuadra. Kampioni do të startojë në raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Fituesi i Kupës së Kosovës dhe nënkampioni do të startojnë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Pra në Ligën e Evropës nuk do të startojë asnjë skuadër kosovare. Varësisht se në cilën xhiro eliminohet kampioni nga Liga e Kampionëve, do të vazhdojë edhe paraqitja në garat e tjera evropiane. Nëse kampioni eliminohet në raundin parakualifikues të Championsit apo në raundin e parë kualifikues, atëherë garimin e vazhdon në Ligën e Konferencës. Nëse eliminohet në raundin e dytë kualifikues të Championsit, atëherë vazhdon në Ligën e Evropës.
Gjasat që kampioni i Kosovës të shkojë përtej raundit të dytë kualifikues të Championsit nuk vlerësohen shumë të mëdha.
UEFA ka përcaktuar që finalja e parë e Ligës së Konferencës të luhet në “Air Albania” të Tiranës. Gjithsej 184 skuadra nga 55 vendet anëtare të UEFA-s do të garojnë në ligën e re të konfederatës evropiane. UEFA përcakton numrin e skuadrave në bazë të koeficientit të saj. Koeficienti rritet me suksese të skuadrave. Kosova është e 52-a, ndërsa pas lë vetëm Ishujt Faroe, Andorrën e San Marinon.
Me formatin e ri ndryshimet më të mëdha janë bërë në Ligën e Evropës. Më pak skuadra do të marrin pjesë në Ligën e Evropës e po ashtu të cilësisë më të lartë.
Sa i takon Kosovës, për rritjen e numrit të skuadrave që garojnë në Evropë duhet të përmirësohen rezultatet. Pjesëmarrja në gara evropiane sjell qindra e mijëra euro, shumë të lakmuara nga klubet e vendit.