Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja konfirmon klubet e licencuara për garat evropiane

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të mërkurën nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditura skuadrat që janë licencuar për garat evropiane për sezonin 2022/23. Në njoftimin e FFK-së thuhet se Komisioni i Shkallës së parë për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s, pas shqyrtimit të dokumentacionit të skuadrave që kanë aplikuar për licencim, bazuar në kriteret e plotësuara i ka licencuar katër skuadra të Superligës së Kosovës në futboll: Ballkanin, Dritën, Gjilanin dhe Llapin.

Edhe Prishtina, Dukagjini, Malisheva e Drenica thuhet se kanë aplikuar, por nuk janë licencuar për shkak se nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara.

“Klubet e palicencuara, kanë afat ankese sipas rregullores së UEFA-s për licencimin e klubeve për garat evropiane”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sa i përket ekipeve të femrave, FFK-ja ka dhënë sqarim në lidhje me licencimin dhe reagimin e KFF Mitrovicës.

“Ndërkaq nga Liga e Parë e femrave për licencë kanë aplikuar KFF Ep-Com dhe KFF Mitrovica. KFF Mitrovica është licencuar, kurse aplikimi i KFF Ep-Com është refuzuar nga Komisioni i Shkallës së Parë, ndërsa pas ankesës së këtij klubi, Komisioni i Shkallës së Dytë ka vendosur që edhe KFF Ep-Com të licencohet”, ka thënë FFK-ja.

Artikuj të ngjashëm