Brenda një muaji Prizreni-16 ka mbetur pa dy basketbollistët kryesorë, Ivan Koleviq e Cortney Fells.
Të martën KB Peja njoftoi se ka arritur marrëveshje me amerikanin Courtney Fells, që i është bashkuar menjëherë ekipit pejan për pjesën e mbetur të sezonit. Fells deri më tani ka shkëlqyer te Prizreni.
Në të vërtetë Fells ditë më parë kishte paralajmëruar largimin nga Prizreni. Përmes një postimi në “Instagram” kishte thënë se gruaja dhe fëmijët e tij ishin fyer në baza raciste në qytetin e Prizrenit.
Edhe trajneri i Prizreni-16, Arbnor Rifati, ka pranuar se kjo ishte arsyeja e largimit të Fellsit, ndonëse ai nuk beson se dikush ka fyer apo kërcënuar familjen e amerikanit që ishte pritur ngrohtë në Prizren. Ndërsa sa i përket Koleviqit, Rifati tha se me lojtarin nga Mali i Zi kishin një kontratë të hapur dhe ai shfrytëzoi opsionin e largimit bazuar në marrëveshje. Si Fells ashtu edhe Koleviq iu bashkuan Prizrenit-16 para fillimit të këtij edicioni. Koleviq tashmë ka kaluar te Rahoveci.
Të dy janë dalluar me efikasitet dhe lojëra të mira.
Në fakt Koleviq e Fells nuk ishin vetëm koshashënuesit më të mirë te Prizreni-16, por edhe ndër më të mirët në Superligë.
Fells ka luajtur me mesatare prej 22.2 pikëve e 8.5 kërcimeve për ndeshje, ndërsa Koleviq kishte 20.7 pikë e 8.2 asistime. Përkundër se ishin ndër më të dalluarit dhe Fells është cilësuar nga trajneri Rifati si lojtari më i mirë në ligë, te Prizreni-16 janë të bindur se nuk do të ndihet mungesa e tyre.
Sipas Rifatit, Fells tashmë është zëvendësuar me Darrell Davisin që në të shkuarën ka luajtur te Rahoveci. Ditëve në vijim ekipit do t’i bashkohet edhe një amerikan tjetër. Rifati ka insistuar se Prizreni-16 mbetet favorit për titullin e kampionit.
“Fells është larguar për arsyet e tij personale. Javën e kaluar ka aluduar që familja e tij është fyer në baza racore dhe është kërcënuar, gjë që nuk besoj. Kjo është arsyeja e largimit të tij nga ekipi ynë. Kemi arritur marrëveshje dhe jemi kompensuar përpara se ta lirojmë dhe tani ai është pjesë e ekipit të Pejës. Sa i përket Koleviqit, me të kemi pasur një kontratë të hapur dhe kur kërkoi të largohet për të shkuar te Rahoveci jemi marrë vesh menjëherë pasi ashtu e kemi pasur marrëveshjen prej fillimit”, është shprehur Rifati të martën për KOHËN. “Edhe pse kanë qenë lojtarë të rëndësishëm për ekipin tonë, besoj fuqishëm se nuk do ta ndiejmë mungesën e tyre pasi ne jemi një skuadër kolektive. Ne tashmë kemi marrë përforcimet e duhura për t’i zëvendësuar dhe lirisht mund të them se Prizreni-16 është pretendues për titullin e kampionit”.
Fells në Instagram kishte shkruar: “Unë vetëm dua të luaj basketboll dhe të kujdesem për familjen time, derisa të jem në Evropë. Megjithatë unë jam me të vërtetë i lodhur nga këto shtete që e përdorin fjalën ‘N’ sikur të jetë çdo gjë në rregull”, ka shkruar Fells javën e kaluar. Më pas kishte shkruar se ndoshta është koha të largohet nga Kosova, duke pretenduar se gruaja dhe fëmijët e tij janë fyer në baza racore.
Fells nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS për të folur për pretendimet e tij.
Prizreni-16 është i pesti në Superligë me 30 pikë të tubuara, ndërsa në Ligën Unike renditet i treti me 16 pikë.