Sport

E treta - e vërteta për Nicholsin te Prizreni

Nuk u prezantua fare te Prizreni-16, por basketbollisti amerikan Ty Nichols nuk pati nevojë për një gjë të tillë. Ai të mërkurën e shkuar iu bashkua ekipit, kurse të shtunën luajti në fitoren ndaj kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit, me shifrat 107:80. Për 29 minuta lojë, Nichols kontribuoi 17 pikë, tetë asistime dhe pesë kërcime, përkundër që kishte vetëm tri stërvitje.

“Ty e njeh shumë mirë ekipin tonë. Në fakt ishte dëshira e tij që të kthehet sërish te Prizreni pasi ka luajtur më herët dhe është shumë i lidhur me ne. Loja që e bëri ndaj Yllit me vetëm tri stërvitje është dëshmia më e mirë për këtë”, tha trajneri i Prizrenit-16, Arbnor Rifati, për KOHËN.

Nichols me paraqitjen ndaj Yllit dëshmoi se ambientimi te Prizreni-16 nuk ishte aspak i vështirë për të. Ky është edicioni i tretë rresht i Nicholsit në Superligën e Kosovës dhe i treti tek ekipi prizrenas.

“Këtë herë besoj se ai do të mbetet deri në fund, pasi kemi kontratë me të dhe presim që të na ndihmojë shumë në arritjen e synimeve që i kemi pas triumfit në Superkupë. Është një lojtar që e njeh mirë Superligën tonë dhe ky është një avantazh për ne”, shtoi Rifati.

Nichols ka luajtur te kjo skuadër edhe në edicionin 2019/20 dhe 2020/21, por asnjërin nuk ka arritur ta përfundojë. Nichols është i bindur se këtë edicion do ta dërgojë deri në fund.

Edicioni 2019/20, që ishte i pari si profesionist për Nicholsin, u ndërpre për shkak të pandemisë. Ai u kthye tek ekipi prizrenas në edicionin 2020/21, por luajti vetëm në pjesën e parë, pasi në pjesën e dytë u huazua te Vëllaznimi, ekip që nuk arriti ta ndihmojë të sigurojë mbetjen në elitë. Në sezonin e parë Nichols ka luajtur me mesatare prej 19.9 pikëve për ndeshje, ndërsa në të dytin me 15.7 pikë për ndeshje.

Basketbollisti amerikan tani nuk synon vetëm mesatare të mirë të pikëve, por edhe trofe me Prizrenin-16. Në fakt, Nichols para fillimit të këtij edicioni u prezantua te Teuta e Durrësit por lidhja e fortë me ekipin prizrenas bëri që ai të kthehet. Madje thotë se i vjen shumë keq që nuk ishte pjesë e skuadrës tri javë më herët, në mënyrë që ta shijonte suksesin e parë në histori të Prizrenit-16 – triumfin në Superkupë.

“Vendosa të kthehem sepse ndjeva se doja të fitoja një kampionat me trajnerin tim të parë që e kisha si profesionist, Arbnorin. Kjo do të jetë shumë e veçantë për mua, pasi jo vetëm te Prizreni por edhe në Superligën e Kosovës ndihem komod”, u shpreh Nichols. “Këtë herë pres ta përfundoj sezonin pasi dy herët e kaluara nuk arrita për arsye të ndryshme. Por, tani jam kthyer dhe qëllimi është ta ndihmoj ekipin të ketë suksese këtë edicion”.

Fundori Nichols thotë se dëshira është që krahas titullit të kampionit ta fitojë edhe Kupën dhe Ligën Unike.

“Kemi ekip të mirë dhe besoj që krahas titullit mund të kemi sukses edhe në Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike. Unë jam i lidhur me klubin dhe basketbollin kosovar, në të cilin për herë të parë luajta si profesionist”, shtoi Nichols, që pranoi se këtë edicion do të jetë vështirë për shkak të konkurrencës së madhe. “Liga është pa dyshim e balancuar, çdo ekip ka lojtarë të mirë, të huaj dhe vendas. Çdo skuadër dëshiron të fitojë, kështu që për mua ky është edicioni më i vështirë prejse kam ardhur në Kosovë”.