Sport

Rashun Davis, ylli që po e udhëheq Yllin drejt mbrojtjes së titullit

Rashaun Davis

Duhej të ishte pjesë e Golden Eagle Yllit edicionin e shkuar, por nuk iu bashkua ekipit nga Suhareka edhe pse transferimi u njoftua në korrik, dy muaj para se të fillonte edicioni 2021/22. Mungesën në edicionin e kaluar, fundori Rashun Davis po e kompenson këtë edicion me paraqitje të mira për Yllin.

Basketbollisti amerikan thotë se nuk iu bashkua vjet Yllit për shkak të një keqkuptimi. Tregon se nuk kishte mundur të rikuperohej në kohë nga një lëndim i pësuar, gjë që ia pamundësoi të vinte në Kosovë pasi ishte prezantuar nga Ylli. Tani që është pjesë e Yllit, Davis synon titullin e kampionit.

“Sapo isha kthyer nga lëndimi dhe pastaj ishte një keqkuptim me klubin sa i përket kohës se kur do të mund të kthehesha në parket. Kjo është arsyeja që nuk arrita të jem pjesë e Yllit kampionatin e shkuar”, thotë Davis. “Mirëpo, tani jam këtu dhe mendoj se gjërat po shkojnë shumë mirë”.

Davis iu bashkua Yllit në tetor të vitit të kaluar dhe ka treguar paraqitje të mira si në Superligën e Kosovës ashtu edhe në FIBA Europe Cup. Në gjashtë ndeshje në FIBA Europe Cup, ku Ylli shënoi një fitore, Davis luajti me mesatare prej 14 pikëve.

Me ritëm të tillë po luan edhe në elitën e basketbollit kosovar, ku ka 11 ndeshje deri më tani. Davis në Superligë debutoi në humbjen e Yllit nga Ponte Prizreni (98:82). Doli të ishte humbja e fundit që u pasua nga një seri prej 11 fitoreve.

Seria e Yllit erdhi pas humbjeve në katër ndeshjet e para. Fitoren e fundit Ylli e regjistroi të dielën në udhëtim te Peja, ndërsa Davis shkëlqeu me 24 pikë, tri kërcime dhe shtatë asistime. Davis beson se mund ta fitojë titullin me Yllin, që u shpall kampion në dy vjetët e kaluar.

“Mendoj se çdo gjë ndodh për një arsye. Ylli u shpall kampion pa mua, ndërsa tani jam i bekuar që e kam mundësinë ta ndihmoj ekipin këtë edicion për ta vazhduar suksesin”, ka thënë 29-vjeçari. “Sigurisht që synimi kryesor i ekipit është mbrojtja e titullit të kampionit dhe unë së bashku me lojtarët e tjerë do të japim gjithçka për këtë sukses. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe nëse vazhdojmë të përmirësohemi siç kemi bërë deri më tani, atëherë jam i bindur se në fund të kampionatit do të festojmë”.

Basketbollisti amerikan ka pranuar se Ylli do të përpiqet që ta vazhdojë sa më shumë që të jetë e mundur serinë e fitoreve, ndonëse e di se nuk do të jetë lehtë. Ylli aktualisht është i treti në tabelë me 26 pikë. Tabelës i prin Peja me 28 pikë, por që ka një ndeshje më shumë se Ylli.

Davis vlerëson se kampionati është shumë i fortë dhe secila skuadër mund ta mposhtë secilën.

“Liga është shumë e fortë, ku secila ndeshje është më e vështirë se tjetra. Nuk mund të veçoj ndonjë ekip që na rivalizon për titull, pasi të gjitha kanë gjasat e tyre dhe nuk do të dihet asgjë deri në fund. Megjithatë, shpresoj që ne të dalim kampionë”, ka thënë Davis.

Davis është mirëpritur në Suharekë dhe po shijon ngritjen e tij si basketbollist nën urdhrat e trajnerit Adis Beqiragiq. Sipas tij, është pikërisht filozofia e trajnerit boshnjak që e ka ngritur Yllin kaq lartë.

Davis nuk e vlerëson veten si lider të ekipit. Thotë se të gjithë lojtarët po angazhohen maksimalisht për të arritur synimin e klubit.

“Mendoj se puna ekipore dhe dedikimi i secilit lojtar për të pasur paraqitje sa më të mirë në secilën ndeshje e karakterizon ekipin e Yllit. Ndonëse më duhet të them se filozofia e trajnerit tonë, të cilën e kemi përcjellë, po na dërgon drejt suksesit. Thjesht, jam i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi dhe po mësoj gjatë rrugëtimit tim gjëra të reja”.

Amerikani 29-vjeçar para se të luajë në Kosovë, karrierë në Evropë ka bërë në Hungari, Bosnjë-Hercegovinë, Sllovaki e Slloveni. Ai është njëri prej gjashtë amerikanëve në radhët e Yllit, përfshirë edhe Malcolm Armsteadin, i cili ka pasaportën e Kosovës.