Sport

Kampioni assesi të këndellet, humb thellë nga Ponte Prizreni

Prizren, 2 tetor (KD) - Kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, assesi të gjejë fitoren në këtë edicion. Të dielën mbrëma në Prizren, Ylli u mposht bindshëm nga Ponte. Ndeshja e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll përfundoi me rezultatin 98:82.

Prizrenasit në fakt kanë dominuar plotësisht dhe vazhdimisht kanë pasur epërsi të lartë. Madje në shumicën e kohës epërsia ishte mbi 20 pikë.

Prizreni e fitoi çerekun e parë me rezultat 24:11. 23:14 përfundoi çereku i dytë dhe kështu epërsia e Pontes pas pjesës së parë shkoi në 22 pikë, 47:25. Edhe çereku i tretë përfundoi në të mirë të prizrenasve, 29:25. Epërsia u zvogëlua nga Ylli vetëm në çerekun e katërt, që më shumë ishte formalitet.

Ivan Koleviq shkëlqeu te Ponte Prizreni me 17 pikë, 13 asistime e shtatë kërcime. Wayne Arnold po ashtu kishte ndeshje të madhe me 28 pikë e nëntë kërcime. Më efikasi ishte Dachon Burker me 30 pikë.

Yllit të Suharekës nuk i mjaftuan 19 pikët e Henrik Shirkos dhe 17 pikët e Valon Bunjakut. Bunjaku i kishte edhe tetë kërcime e pesë asistime. Bashir Ahmed ishte më efikasi me 26 pikë, por mungoi kontributi i lojtarëve të tjerë. Gëzim Morina e Malcolm Armstead vazhdojnë të jenë të lënduar.

Për Yllin është humbja e katërt rresht. Ka humbur edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë Ponte Prizreni ka dy fitore e dy humbje.

“Ditë e mirë e jona sa i takon gjuajtjeve. Ponte Prizreni është i përgatitur për çdo lojë të kundërshtarit. Dy çerekët e parë kemi luajtur mbrojtjen më të mirë prej se klubi ekziston. Dhe ky ishte çelësi i suksesit. Jam i gëzuar tej mase që ua dhashë rastin djemve të rinj që ta shijojnë këtë atmosferë”, ka thënë trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati.

Ylli së shpejti do të fillojë paraqitjen në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Ndeshjet si vendase do t’i luaj pikërisht në Prizren. Por tek Ylli duhet të ndryshojnë shumë gjëra për të shpresuar në sukses.

Trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq, ka shumë pakënaqësi me skuadrën, sidomos me lojtarët vendorë. Ai ka pranuar pas ndeshjes se disa lojtarë janë pranë largimit. Nuk ka saktësuar se cilët dhe nëse bahet fjalë për vendorë apo të huaj.

“Po vazhdojnë problemet serioze në sulm. Shpresoj që të huajt që do të vijnë do të ndryshojnë këtë. Presim edhe kthimin e Morinës dhe Armsteadit. Por Ponte luajti mirë sonte. Ka shënuar gjuajtje të vështira. Sigurisht ne do të jemi më të mirë. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Kemi kualitet për të shfaqur më shumë”, ka thënë Beqiragiq. Ai ka pranuar se ishte i pakënaqur me disa gjëra, por ka mohuar se po largohet nga skuadra suharekase, të cilën e udhëhoqi drejt dy titujve.