Humbja e fundit ka motivuar maksimalisht skuadrën e Dritës, që po kërkon fitore në ndeshjen kundër Prishtinës.
Te Drita insistojnë se kanë harruar disfatën që e pësuan nga Ballkani të mërkurën dhe tashmë mendjen e kanë vetëm te trepikëshi ndaj Prishtinës, shkruan Koha Ditore.
Dueli mes Dritës dhe Prishtinës zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan prej orës 14:00. Njëherësh, kjo ndeshje vlerësohet edhe si derbi i xhiros së 22-të në elitën e futbollit të Kosovës.
Skuadra e Dritës zë vendin e katërt në tabelë me 40 pikë të tubuara, një më pak se Prishtina që është e treta. Në fakt, Drita po kërkon t’ia shkaktojë Prishtinës humbjen e parë këtë vit. Prishtina deri më tani nuk di për humbje në vitin 2020. Ka shënuar katër fitore në pesë ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, përfshirë edhe Kupën e Kosovës.
Sulmuesi i Dritës, Betim Haxhimusa, insiston se në përballjen me Prishtinën vetëm fitorja është opsion për gjilanasit. Madje, ai thotë se Drita do të bëhet “sebep” për humbjen e parë të Prishtinës këtë vit. Megjithatë, Haxhimusa ka pranuar se nuk do të jetë lehtë të arrihet fitorja, për shkak se Prishtina mbetet një kundërshtare shumë e fortë dhe se në Gjilan nuk do të udhëtojë me “flamur të bardhë”.
“Jemi maksimalisht të motivuar dhe të gatshëm t’u kthehemi fitoreve në ndeshjen kundër Prishtinës. Humbja ndaj Ballkanit i takon së kaluarës, pasi fokusi ynë është vetëm te dueli me Prishtinën. Natyrisht, do të jetë një ndeshje e vështirë, për shkak se edhe Prishtina ka ekip cilësor dhe do ta kërkojë fitoren gjithashtu. Por, ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje që e luajmë në shtëpi”, është shprehur Haxhimusa të premten.
Të dyja skuadrat pritet të jenë të kompletuara për këtë përballje. Ngjashëm si te Drita, edhe te Prishtina presin një rezultat të mirë nga kjo përballje....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)