Xhiroja e fundit e stinorit pranveror, përkatësisht e 18-ta e Superligës së Kosovës u zhvillua fundjavën e kaluar.
Por një ndeshje e xhiros së 13-të nuk është luajtur ende. Dhe bëhet fjalë për derbi të madh.
Të mërkurën nga ora 13:00 në Gjilan do të luhet ndeshja e mbetur, ajo ndërmjet Dritës dhe Prishtinës. Kjo ndeshje u shty për shkak të angazhimit të Dritës në Ligën e Konferencës.
Tabelës së Superligës i prin Ballkani me 33 pikë. Prishtina e zë vendin e dytë me tri pikë më pak. Drita numëron 26 pikë dhe renditet në pozitën e pestë.
Prishtina xhiron e kaluar e shënoi fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Afrim Tovërlani. E mposhti Drenicën me rezultatin, 2:1. Drita u ndal në barazim 1:1 nga Malisheva.
Kampionia në fuqi, Drita, nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit në kampionat. Ka tri barazime dhe një humbje.
Fitoren e fundit në Superligë e ka shënuar më 22 nëntor ndaj Prishtinës së Re.
Te Drita synojnë që ta mbyllin vitin me fitore.
Të martën në konferencë për shtyp te Drita u paraqitën portieri Laurit Behluli dhe trajneri Zekirija Ramadani.
“Nesër na pret një ndeshje e vështirë përballë Prishtinës. Na duhet të dalim të bashkuar në fushë dhe duke dhënë maksimumin të arrijmë deri te fitorja. Të mbyllim këtë vit historik të klubit me fitore. Si çdo portier, synimi kryesor në ndeshje është të mbajmë portën e paprekur. Shpresojmë të arrijmë këtë dhe shpresojmë që të arrijmë deri te fitorja”, u shpreh 25-vjeçari Behluli.
Trajneri Ramadani është në dijeni të mungesës së rezultateve pozitive në javët e fundit.
Por ai pret që ndaj Prishtinës t’i fitojnë pikët e plota për ta përmbyllur vitin me fitore.
“Presim Prishtinën, një Prishtinë që kohët e fundit nuk ka pasur ecuri pozitive, por në ndeshjen e fundit u kthye te fitorja. Kam arritur që ta shohë atë ndeshje dhe pash krejt një tjetër fytyrë e Prishtinës, shumë më agresive, shumë më kërkuese se në ndeshjet e kaluara. Kjo i bie se secilit trajner i duhet kohë dhe kolegut tim, Afrim Tovërlanit, i është dashur kohë për të implementuar kërkesën e tij brenda lojës. Edhe ne nuk kemi treguar rezultate pozitive. Kemi nevojë për një fitore që të përmbyllim këtë vit të suksesshëm. Çdo fitore ka kënaqësinë e vet pa marrë parasysh se në cilin rang garon. Është ndeshja e fundit dhe ju kam thënë edhe futbollistëve që ne duhet të bëjmë të pamundurën për të arritur objektivin, trepikëshin”, u shpreh Ramadani.
Rezultat pozitiv presin edhe te Prishtina. Klubi nga kryeqyteti e nisi mirë edicionin 2025/26, por në javët e fundit ka pasur rënie të formës.
“Mendoj që nesër do të jetë një ndeshje e vështirë. Një ndeshje derbi. Por mendoj që jemi përgatitur mirë. Kemi punuar gjatë javës dhe shpresoj që nesër të kthehemi me një rezultat pozitiv dhe ta mbyllim këtë gjysmësezon”, ka thënë mbrojtësi Leonat Vitija për faqen zyrtare të Prishtinës.
Trajneri Afrim Tovërlani vlerëson Dritën për suksesin në Ligën e Konferencës.
“Presim ndeshje të vështirë ndaj skuadrës që e lartësojnë futbollin kosovar në Evropë. Do të mundohemi ta mbyllim mirë sezonin, pas luhatjeve që pati skuadra”, ka theksuar Tovërlani për KOHËN.
Të dy skuadrat e kërkojnë titullin e kampionit. Po ashtu, do të përballen muajin tjetër në Turqi në ndeshjen për Superkupë.