Te Drita janë të gatshëm për derbin e madh kundër rivalit lokal, Gjilanit. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ndeshjen ndaj Gjilanit e ka quajtur speciale. Nuhiu pret që ekipi i tij të tregojë karakter.
Dueli mes Dritës dhe Gjilanit zhvillohet të mërkurën prej orës 15:00 dhe është kryesori i xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll. Derbi zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. Drita si organizatore ka bërë të ditur se ndeshja luhet pa praninë e shikuesve për shkak se nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe se fusha nuk ofron siguri. Sipas Dritës, këtë vendim të prerë e ka marrë Stacioni Policor në Gjilan.
Drita e Gjilani janë skuadrat e vetme që këtë edicion ende nuk dinë për humbje. Gjilani është lider në tabelë me 14 pikë të tubuara, tri më shumë se Drita që renditet e dyta dhe ka një ndeshje më pak të luajtur.
Ardian Nuhiut i vjen keq që nuk do të ketë shikues në derbi. Ai pret që Drita ta shfrytëzojë potencialin që ka për t’ia shkaktuar Gjilanit humbjen e parë këtë edicion.
“Na pret një ndeshje speciale për ne dhe tifozët tanë, të cilën duhet ta luajmë me përqendrim dhe përgjegjësi. Ekipin kundërshtar e njohim mirë, ka ecuri të mirë dhe cilësi. Por, më gëzon edhe forma e mirë e ekipit tim. Neve na mbetet që me shumë autoritet dhe përgjegjësi të bëjmë një ndeshje të madhe, të shfrytëzojmë potencialin tonë dhe të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje. E dimë që derbi do të luhet pa shikues, por jam i bindur se ata nuk do të mungojnë dhe do të mbështesin ekipin kudo që e ndjekin lojën”, ka thënë Nuhiu. “Uroj të kemi edhe fatin sportiv me ne dhe rastet që do të na paraqiten t’i shfrytëzojmë për të realizuar dhe për të marrë tri pikët. I dua ndeshjet e forta sepse futbollistët i kam të tillë. Ata në duele të tilla tregojnë karakterin dhe vlerat që i kanë”.
Drita ndaj Gjilanit futet pas paraqitjeve të mira që i pati në dy ndeshjet e fundit. E mposhti 2:0 kampionin në fuqi, Ballkanin, kurse më herët fitoi ndaj skuadrës së Llapit, 4:0.
Formën e mirë të treguar në këto ndeshje, mbrojtësi i krahut, Besnik Krasniqi, pret që Drita ta shfaqë edhe në derbin ndaj Gjilanit. Krasniqi ka thënë se të gjithë te Drita e kanë parasysh rëndësinë e derbit dhe janë maksimalisht të motivuar për ta dhënë më të mirën.
“Është një ndeshje shumë e fortë mes dy ekipeve që po kalojnë formë të mirë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje edhe pse ishte kohë shumë e shkurtër. Ne e dimë rëndësinë e derbit dhe jemi maksimalisht të motivuar ta fitojmë këtë ndeshje, jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë qytetin dhe tifozët e Dritës. Është një ndeshje që nuk bënë të humbet dhe neve na mbetet ta japim maksimumin e të luftojmë për veten dhe shikuesit, të cilët e meritojnë këtë”, ka thënë Krasniqi.
Gjilani barazoi 1:1 në shtëpi në ndeshjen e fundit ndaj Prishtinës. Mesfushori Arbnor Ramadani ka thënë se kjo ndeshje tashmë është harruar dhe fokusi është te derbi me Dritën, të cilin duan patjetër ta fitojnë.
“Është një ndeshje që ka rëndësinë e saj dhe normalisht që është një motiv shtesë për të luajtur në këtë derbi. Kundërshtari, pa marrë parasysh formën dhe pozitën, gjithmonë mbetet rival i vështirë. Jemi rival brenda dhe jashtë qytetit”, është shprehur Ramadani, që ka folur edhe për mungesën e tifozëve. “Mungesa e tifozëve normalisht që është një minus i madh për këtë sfidë, por shpresojmë t’i gëzojmë tifozët tanë”.
Të mërkurën luhet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të xhiros së shtatë. Skuadra e Prishtinës e pret Malishevën. Ky duel zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, pasi Prishtina është e dënuar me dy ndeshje moslojë në stadiumin “Fadil Vokrri” për shkak të incidenteve para derbit me Ballkanin. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve në tribuna, ka njoftuar Prishtina.
Të enjten zhvillohen dy ndeshje të tjera: Trepça ’89 – Ferizaj, Dukagjini – Drenica.
Ndeshja mes Llapit dhe Ballkanit është shtyrë për një datë tjetër për shkak se ekipi nga Suhareka të enjten luan në udhëtim ndaj Slavia Pragës në kuadër të xhiros së dytë të fazës grupore të Ligës së Konferencës.
Superliga – VII
E mërkurë (15:00)
Drita – Gjilani
Prishtina – Malisheva
E enjte (15:00)
Trepça ’89 – Ferizaj
Dukagjini – Drenica
1. Gjilani 6 4 2 0 9:4 14
2. Drita 5 3 2 0 10:3 11
3. Ballkani 4 3 0 1 3:2 9
4. Prishtina 5 2 2 1 5:4 8
5. Malisheva 5 2 1 2 8:7 7
6. Ferizaj 6 1 3 2 6:8 6
7. Trepça ’89 5 1 2 2 12:12 5
8. Drenica 6 1 2 3 4:8 5
9. Llapi 6 1 2 3 6:11 5
10. Dukagjini 6 0 2 4 3:7 2