Sport

Dominimi i plotë i Mitrovicës, sot feston titullin e ri

Në kuadër të xhiros së 20-të, Mitrovica fitoi 9:0 si mysafire e Malishevës. Në kuadër të javës së 21-të fitoi 6:0 ndaj Llapit. Por këto as për së afërmi nuk janë fitoret më të thella të klubit të futbollit të femrave, Mitrovica.

11:0, 14:0, 10:1, 13:0, 12:0, 9:0, 8:0, 15:0 janë disa prej fitoreve të tjera të mitrovicaseve. Kjo skuadër të shtunën (sot) e mbyll një tjetër edicion, të cilin e ka dominuar plotësisht. Mitrovica i ka fituar 18 prej 19 ndeshjeve të deritashme. E ka një barazim me skuadrën prizrenase A&N. Ka shënuar plot 155 gola e ka pranuar vetëm katër. I ka 55 pikë nga 19 ndeshje, ndërsa Kosova VR është e dyta me 50 pikë nga 20 ndeshje.

Mitrovica titullin e ri e feston në ndeshjen ndaj KFF Jakova. Në “Riza Lushta” nga ora 15:00 luhet takimi festiv.

“Të shtunën zhvillohet xhiroja e fundit për sezonin 2020/2021, ku edhe zyrtarisht shpallemi kampionë për herë të katërt. Na priftë e mbara në Ligën e Kampionëve”, ka njoftuar Mitrovica.

Mitrovica dallon plotësisht me dhjetë skuadrat e tjera të Ligës së futbollisteve. Ka organizim më të mirë, lojtare më cilësore, paga të rregullta. Lojtaret i ka më të pjekura, shumicën reprezentuese të Kosovës e Shqipërisë. Dhe dallimi në cilësi është shumë i madh, si në asnjë sport e asnjë ligë tjetër.

“Patjetër që e kemi pritur këtë dominim, pasi në radhë të parë investohet shumë në këtë ekip dhe po ashtu punohet shumë që të arrijmë këtë dominim dhe këtë sukses”, thotë Suada Jashari, trajnere e Mitrovicës.

“Dallimi kryesor me ekipet e tjera është që ne kemi futbolliste kualitative dhe me përvojë, të cilat vazhdimisht punojnë që të kemi këto rezultate që i arrijmë. Kemi mbështetjen dhe kushtet ideale që na ofrohen nga kryetari i klubit Hajrullah Haxhiu së bashku me pjesën tjetër të stafit. Të gjithë së bashku arrijmë që të bëjmë një punë mjaft profesionale dhe shpresojmë që të na shërbejë për paraqitje sa më të suksesshme në Evropë”, ka shtuar Jashari.

Ajo ka treguar se të gjitha lojtaret kanë kontrata profesionale dhe paguhen për 12 muaj.

“Realisht jo pak na dëmton fakti që nuk kemi ndeshje të forta gjatë kampionatit, sepse ndeshjet e forta na shërbejnë që të kemi pasqyrë më reale të gjendjes së futbollisteve. Po ashtu nga ana psikologjike të mos kesh ndeshje të forta gjatë gjithë vitit dhe të shkosh në gara evropiane, atëherë ekipi ngarkohet goxha shumë. Uroj që liga të forcohet dhe të ketë ekipe të tjera të forta, sepse kjo do t’u shërbente shumë futbollit të femrave dhe ngritjes së kualitetit”, ka theksuar Jashari.