Sport

“Superliga” e futbollisteve, fitore 25:0 në xhiron e tretë

Superliga e Kosovës në futboll (vajzat) vazhdon të përballet me mungesë të konkurrencës së denjë. Në fakt numri fare i vogël i skuadrave më cilësore dhe më të organizuara, e ka munduar ligën e futbollisteve që nga themelimi i saj.

Dhe Superliga do të vazhdojë të ketë telashe me të paktën një skuadër të dobët. Një rezultat i regjistruar të dielën e dëshmon këtë.

Në një ligë futbolli me skuadra të organizuara rezultat 19:0 e 25:0 janë shumë, shumë të rralla. Ndërkohë në elitën e Kosovës këto rezultate janë regjistruar që në tri xhirot e para. FFK-ja është angazhuar që futbollin e vajzave ta bëj më interesant, por i mbetet edhe shumë punë. Për herë të parë niveli senior është ndarë në dy liga, në Superligë, ku janë tetë skuadra, dhe në Ligën e Parë, ku garojnë gjashtë skuadra.

Xhiroja e parë ka dhënë rezultate të thella. Malisheva fitoi 8:2 ndaj Llapit, EP Com Hajvalia fitoi 7:0 ndaj Bazeli 2015, Mitrovica fitoi 7:1 ndaj Kosova VR, ndërsa Dukagjini fitoi 19:0 ndaj skuadrës Jakova.

Llapi në xhiron e parë kishte humbur 8:2 nga Malisheva, por në xhiron e dytë kishte fituar 10:1 ndaj Jakovës. Kjo dëshmon se sa nivel inferior ka aktualisht Jakova.

Kjo skuadër të dielën ka pësuar shumë thellë, 25:0, nga Mitrovica.

Kaltrina Biqkaj e Edona Kryeziu i shënuan nga pesë gola për Mitrovicën. Dy lojtari i kishin nga katër gola, njëra realizoi “hat-trick”, njëra i realizoi dy gola e dy të tjera nga një. Pra gola kanë realizuar plot tetë lojtare të Mitrovicës.

Mitrovica dhe Hajvalia llogariten skuadra pretendente për titull.

Kaltrina Biqkaj, reprezentuese e Kosovës, vlerëson që Superliga është zvogëluar në tetë skuadra. Por ajo thotë se kjo lëvizje nuk mjafton. Sipas Biqkajt, e domosdoshme është që Superliga të zvogëlohet ende, në mënyrë që të ketë ndeshje më të forta.

Pa ndeshje të forta ngritja e cilësisë vlerësohet e pamundshme. Te Mitrovica e dinë që me fitore 25:0 cilësia nuk rritet.

“Kampionati është ndarë në dy liga, ndërsa në Superligë vetëm ky ekip ka mbetur me futbolliste krejt të reja”, ka thënë Biqkaj për KOHËN.

“Ndarja e skuadrave në dy liga është e qëlluar. Në Superligë tani janë tetë skuadra, por prapë kjo nuk është e mjaftueshme. Është mirë që Superliga të jetë me gjashtë ekipe, që do të luanin katër faza. Kështu do të ketë më shumë ndeshje të forta dhe liga do të jetë më konkurruese”, ka shtuar sulmuesja Biqkaj.

Rezultate si ky i xhiros së tretë priten edhe në vazhdim të kampionatit.