Pa shumë prej lojtareve startuese në përbërje, KFF Mitrovica ka fituar thellë e lehtë ndaj skuadrës Presingu. 13:0 në të mirë të Mitrovicës përfundoi ndeshja e xhiros së tetë të Ligës së Parë të Futbollit të Femrave. Një lojtare i shënoi katër gola, një tjetër tri e kështu me radhë.
Ndeshjen e xhiros së shtatë Mitrovica nuk e kishte luajtur fare. Në këtë klub kanë dyshimet e veta se Jakova nuk kishte udhëtuar për të shmangur humbjen me shumë gola dallim.
“Kjo është liga jonë. Dikush nuk udhëton, dikush e tërheq ekipin gjatë ndeshjes e disa i nxjerrin nga loja futbollistet një nga një, derisa të mbeten më pak se që lejohen për zhvillimin e ndeshjes. Dikush shpenzon e investon, disa formojnë klube për të përfituar nga FFK-ja, Komuna dhe Ministria”, kishte akuzuar KFF Mitrovica pas dështimit të ndeshjes me Jakovën.
Mitrovica dominon plotësisht në futbollin e vajzave në vend. Për këtë skuadër problemi më i madh është mungesa e konkurrencës së denjë nga skuadrat e tjera. Kjo vërehet kur mitrovicaset luajnë ndeshje në Ligën e Kampionëve. Mungesa e konkurrencës së denjë për kohë të gjatë lë pasoja.
Në xhiron e gjashtë Mitrovica fitoi 15:0. 5:0 fitoi në xhiron e pestë, 6:0 në të katërtën e 19:0 në të tretën. Në hapje të edicionit ka një fitore 8:0 e një tjetër 12:0.
Pra, Mitrovica nuk ka pranuar ende asnjë gol.
Me rezultate të mira po shquhet edhe Hajvalia, që po ashtu ka vetëm fitore. Por dallimi i skuadrave të kreut me skuadrat e tjera është shumë i madh. Dhe kjo vlerësohet se është goditje për ligën, por edhe për zhvillimin e mëtejmë të futbollit të vajzave.
“Organizimi i mirë i kryesisë sjell rezultatet e shkëlqyera të klubit tonë. Zakonisht rezultatet e thella janë falë punës që bëhet në ekip dhe kualitetit të lartë të lojtareve, gjë që në një mënyrë pengon zhvillimin e ekipeve të tjera, përkatësisht klubeve të reja që po futen në garë kryesisht me lojtare fare të reja në moshë e jo me seniore. Kur rezultati thellohet pastaj humb motivi për lojë dhe për vazhdimin e garës tutje”, thotë Kaltrina Biqkaj, sulmuese e Mitrovicës dhe e Përfaqësueses së Kosovës.
“Mungesa e ndeshjeve të forta gjatë gjithë kampionatit na penalizon goxha shumë, sepse në ndeshje të forta vërehet edhe forma e lojtareve. Në kampionatin tonë maksimalisht dy-tri ndeshje janë që kemi konkurrencë. Nuk është e mjaftueshme, sepse ndeshjet në Champions për shembull janë tejet të forta. Vetëm një herë në vit po kemi fatin të luajmë aso ndeshje”, ka shtuar Biqkaj. Ajo pranon se suksesi ndërkombëtar do të ishte më i madh sikur ndeshjet e forta në ligë të ishin të rregullta.
Ajo konfirmon se te Mitrovica shpesh kursehen lojtaret e ekipit bazë.
“Në çdo ndeshje po mundohemi të japim maksimumin. Por ka ndeshje që kursehemi ne lojtaret e ekipit bazë për shkak të mungesës së cilësisë së kundërshtarit”, ka theksuar Kaltrina Biqkaj, njëra prej lojtareve kryesore të ligës së futbollit.
Mungesa e konkurrencës nuk e mundon vetëm futbollin. Njëjtë është edhe në basketboll, ku disa prej skuadrave janë larg prej nivelit që kanë skuadrat e tjera.
Fitorja 131:16 e Penzës ndaj Kastriotit e dëshmon këtë. Ky rezultat u regjistrua të dielën në ndeshjen e Superligës së basketbollisteve.
Ka pasur rezultate edhe më të thella. Për shembull, në xhiron e dytë Bashkimi fitoi ndaj Kastriotit me 113:11, ndërsa Penza e mposhti Vëllaznimin 110:35. Prishtina ndaj Trepçës atë xhiro kishte fituar me 110:50. Pikërisht Trepça e kishte mposhtur Kastriotin me 131:31 në xhiron e tretë.
Skuadrat që luftojnë për titull, Penza, Prishtina e Bashkimi, kanë cilësi të përafërt, por me skuadrat e tjera dallimi është i madh, sidomos me Kastriotin. Dhe më pas ka rezultate jo të denja për Superligë.
“Shumë keq për sy, por edhe për Federatën besoj që është keq kjo dhe mendoj se duhet të ndërmerret diçka. Në dy ndeshjet e fundit nuk jam paraqitur asnjë minutë, për shkak të dallimit të madh në cilësi”, thotë basketbollistja e Penzës dhe e Përfaqësueses së Kosovës, Valbona Bytyqi.
“Shpresoj të ndërmarrin diçka ekipet. Në të kundërtën, mendoj se më mirë është të jenë vetëm katër ekipe dhe të takohen katër herë mes vete. Kjo është më mirë se të kemi ndeshje që përfundojnë me mbi 100 pikë dallim”, ka shtuar Bytyqi.
Hendbollin e mundon i njëjti problem. Skuadrat që luftojnë për titull kanë dallim të madh në cilësi me skuadrat e tjera. Te Istogu, që ka fituar shtatë ndeshjet e deritashme, pranojnë se kursejnë shumë prej skuadrave. 43:21 e ka fituar Istogu ndeshjen e fundit. Vushtrria fitoi 40:17, ndërsa Shqiponja fitoi 58:19 ndaj Dritës, ndonëse nuk është pjesë e skuadrave më të forta. Drita është plotësisht inferiore ndaj të gjithë kundërshtarëve. Më së thelli e mposhti Vushtrria, 74:16. Por vetëm pak ditë pas asaj fitoreje, Vushtrria luajti ndeshje evropiane në Zvicër. Dhe njërën prej tyre e humbi 41:6.