Sport

Synimet e mëdha të Mitrovicës për vitin jubilar

Viti 2024 do të jetë i veçantë për klubin e futbollit të femrave, Mitrovica. Në shkurt të vitit të ardhshëm, Mitrovica mbush 10 vjet nga themelimi. Dhe për vitin jubilar, KFF Mitrovica ka synime të mëdha. Futbollistet e Mitrovicës synojnë titullin e kampionit dhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Trajneri Seid Onbashi shkon edhe më tej. Ai thotë se qëllimi i klubit është arritja në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve për futbolliste.

“Jemi klubi i vetëm në Kosovë që kemi kaluar fazën e grupeve dhe të përfshihemi në mesin e 32 ekipeve më të mira në Evropë. Është mirë që vajzat e kanë synim për të arritur në 1/8 e finales. Edhe unë si trajner, por edhe drejtuesit e klubit kemi synime të mëdha, fillimisht të shpallemi kampion në Kosovë e pastaj në arenën ndërkombëtare ta kalojmë grupin dhe të shkojmë sa më lart”, ka thënë Onbashi të enjten për KOHËN.

Ai udhëhiqte stërvitjen në një fushë me bari sintetik, pak metra larg stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Mitrovica ka dy vjet që nuk ka fituar titullin. Rivalja e tyre, Hajvalia është kampione në fuqi, derisa Mitrovica fituese e Kupës. Por Mitrovica mbetet skuadra më e trofeshme në futbollin e femrave. Ka fituar katër tituj dhe gjashtë Kupa në futbollin e femrave.

Mitrovica e ka nisur mbarë rrugën drejt arritjes së qëllimit të parë. E ka fituar 2:0 rivalen Hajvalinë në kampionat. Nga tetë ndeshje këtë edicion ka 24 pikë, tri më shumë se përcjellësja e parë Hajvalia.

“Ashtu siç e kemi planifikuar, edhe e kemi nisur me synimin për ta kthyer titullin në Mitrovicë, edhe pse është ende herët, pasi kanë kaluar vetëm disa ndeshje, por me punën e përbashkët kemi një nisje të mbarë. Jemi të lumtur, por nuk duhet të ndalemi. Duhet të vazhdojmë tutje”, është shprehur Onbashi.

Superliga e femrave ka gati një muaj që nuk ka zhvilluar gara për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Mitrovica ka gjashtë lojtare te Kosova dhe dy te Shqipëria. Më herët ka pasur edhe më shumë të angazhuara.

Por, klubi i futbollit Mitrovica ka vazhduar me stërvitje. Ka mbajtur nga pesë herë në javë me qëllimin e vetëm – ta fitojnë titullin.

“Nuk jemi ndalë për asnjë moment, po stërvitemi pesë herë në javë duke mbajtur formën edhe pse është e vështirë kur nuk ke një muaj ndeshje, por vullneti vajzave na i shtyn të mos ndalemi me qëllimin e përbashkët që ta kthejmë titullin në Mitrovicë”, ka theksuar Onbashi.

Për synimet e Mitrovicës ka folur edhe futbollistja Edona Kryeziu.

“Synimi i parë është titulli e pastaj duhet të shkojmë hap pas hapi duke përmbushur synimet që i kemi. Synimi ynë është të shkojmë sa më lart në Ligën e Kampionëve, duke kaluar fillimisht fazën e grupeve, gjë që e kemi bërë edhe më parë, por qëllimi është që edicionin e ardhshëm të shkojmë edhe në 1/8 e finales”, ka deklaruar një prej lojtareve më të rëndësishme te KFF Mitrovica.

Besim se do t’i realizojnë synimet ka edhe mbrojtësja Liridona Syla.

“Me këtë fond të lojtareve, punën e trajnerit dhe mbështetjen që kemi nga kryesia e ekipit, besoj se mund t’i realizojmë synimet që kemi”, ka thënë Syla.

Edhe më i bindur se synimet do të arrihen është kryetari i klubit, Hajrullah Haxhiu.

“Me organizimin që po bëhet në klub mendoj që këtë vit nëse shpallemi kampion, synojmë ta kalojmë fazën e grupeve e më pas të arrijmë edhe synime të tjera. Por duhet të bëjmë përforcime edhe nga jashtë për të synuar hapin tutje”, ka thënë Haxhiu.

Suksesin më të madh në Ligën e Kampionëve, Mitrovica e pati arritur në edicionin 2019/20, kur arriti deri në 1/16 e finales. Synon ta bëjë hapin e radhës para në Evropë.