Sport

Di Maria njofton për pensionimin nga Argjentina

Angel Di Maria ka njoftuar të enjten mbrëma se karriera e tij në nivel përfaqësuesesh do të përfundojë në fund të “Copa Amerika” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Di Maria luajti në fitoren e fundit të Argjentinës 1:0 ndaj Brazilit në “Maracana”, duke e zëvendësuar Lionel Messin në minutën e 78-të. Ishte disfata e parë e Brazilit në shtëpi në kualifikimet për në Kupën e Botës.

Dhe ishte pikërisht stadiumi “Maracana”, kur në vitin 2021, Di Maria shkroi historinë me shtetin e tij. Ai shënoi golin e fitores në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Brazilit.

Por, ai ka njoftuar tani se do të pensionohet nga përfaqësuesja argjentinase, me të cilën e fitoi Botërorin në fund të vitit të kaluar.

“Copa Amerika do të jetë hera e fundit që do ta bartë fanellën e Argjentinës. Me gjithë dhimbjen në shpirt po u them mirë u pafshim gjërave më të bukura që më kanë ndodhur në karrierën time. Faleminderit tifozë, familje, shoqëri e bashkëlojtarë. Ne do të vazhdojmë të shkruajmë historinë”, ka shkruar Di Maria.

Lojtari i Benficas, 35-vjeçari Di Maria, ka 136 paraqitje me Argjentinën, ndërsa ka shënuar 29 gola.