Presioni ndaj Gjermanisë nikoqire për të pasur sukses në “Euro 2024” është rritur në mënyrë të papritur në muajt e fundit, pas një serie rezultatesh të dobëta. Por presioni u rrit tutje pas eliminimit shokues të Gjermanisë në fazën grupore të Kampionatit Evropian U21.
Përfaqësuesja e të rinjve të Gjermanisë, kampione e Evropës në vitin 2021, ishte e etur të tregonte një anë më të mirë se ekipi A në ndeshjet e fundit. Por humbi 2:0 nga Anglia në Gjeorgji të mërkurën për t'u eliminuar në fazën e grupeve me vetëm një pikë nga tri ndeshje. Ky eliminim i hershëm ka bërë që Gjermania ta humbë vendin edhe në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
“Të gjithë, përfshirë edhe lojtarët, e kemi imagjinuar krejtësisht ndryshe paraqitjen tonë në këtë Evropian, i cili rezultoi me një dështim të plotë. Nuk u treguam të mirë dhe kjo na kushtoi me eliminim të hershëm”, ka pranuar trajneri i ekipit U21 të Gjermanisë, Antonio Di Salvo, të enjten. “Duhet të analizojmë se çfarë ka ndodhur dhe të punojmë që një gjë e tillë të mos na përsëritet në të ardhmen”.
Me tifozët gjermanë që kanë frikë se do të dëgjojnë të njëjtat fjalë në “Euro 2024”, të gjithë sytë kthehen te selektori i Gjermanisë, Hansi Flick. Përfaqësuesja e tij nuk duket askund afër nivelit të kërkuar për Evropianin e vitit të ardhshëm, ku gjermanët do të synojnë suksesin dhe arsyetimin për një ecuri zhgënjyese pesëvjeçare.
Gjermania barazoi 3:3 me Ukrainën si vendase, humbi 1:0 ndaj Polonisë në Varshavë dhe 2:0 në shtëpi ndaj Kolumbisë në ndeshjet miqësore të zhvilluara në fillim të këtij muaji, duke konfirmuar formën e dobët që nga eliminimi në fazën e grupeve të Kupës së Botës “Katari 2022”.
Kur Flick mori detyrën e selektorit në muajin shtator të vitit 2021, Gjermania ishte në rënie të lirë dhe në krizë të rezultateve. Ishte eliminuar nga faza e grupeve në Botërorin e vitit 2018 dhe kishte pësuar nga Anglia në 1/8 e finales të “Euro 2020”. Fillimi me Flickun ishte i mirë dhe premtues, pasi nën drejtimin e tij Gjermania regjistroi një seri prej tetë fitoresh. Megjithatë kohët e fundit situata nuk është aspak e mirë. Gjermanët e kanë vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, që nga eliminimi i hershëm në Botërorin e Katarit. Në total i kanë vetëm tri fitore në 11 ndeshjet e fundit.
Edhe
Humbja nga Austria mbyll një vit zhgënjyes për Gjermaninë para organizimit të “Euro 2024”
Gjermania është mikpritëse e Evropianit të vitit të ardhshëm, turne në të cilin është kualifikuar automatikisht, por përgatitjet e Flickut nuk po shkojnë sipas planit. Në muajin shtator Gjermania i ka të aranzhuara dy ndeshje miqësore, të cilat edhe mund të vendosin për fatin e Flickut në krye të përfaqësueses. Do të përballet me Japoninë dhe Përfaqësuesen e Francës, ndeshje që duhet patjetër t’i fitojë për ta rikthyer besimin te tifozët.
“Besoj se do të rikthehemi fuqishëm në shtator me dy fitore, të cilat do t’i arrijmë falë paraqitjeve të mira si ndaj Japonisë ashtu edhe ndaj Francës. Ajo që është e rëndësishme mendoj se është mënyra se si do të paraqitemi në këto ndeshje për shkak se nuk ka edhe shumë kohë deri te Kampionati Evropian”, pranoi drejtori i përfaqësueses gjermane, Rudi Voeller.